Champions UEFA ndan milionat

UEFA ka publikuar listën e shpërblimeve financiare që do ti shpërndahen skuadrave pjesëmarrëse në Champions League gjatë sezonit të kaluar. Trofeu më prestigjioz për klube në kontinent, që u fitua nga Çelsi, mbetet një burim të ardhurash të jashtëzakonshme për klubet.
Në fakt, pas fitimit të kupës në finalen e Mynihut, blutë e Londrës do të përfitojnë plot 60 milionë euro për rezultatin e arritur. Edhe pse shifra mund të mos duket asgjë në krahasim me atë që ka shpenzuar Roman Abramoviç, këto fonde janë shumë të rëndësishme për bilancet e klubit anglez.
Bajerni i Mynihut, finalistja tjetër e Champions League përfiton vetëm 42 milionë euro. Shifra është pak më e lartë se ajo që do të shkojnë në arkat e Barcelonës, gjysmëfinaliste, apo edhe Milanit çerekfinalist.
Në fakt, katalanët do të marrin 40.6 milionë euro nga UEFA, ndërsa kuqezinjtë 40 milionë. Fonde të konsiderueshme përfiton edhe Mançester Junajtid. Pavarësisht se “Djajtë e Kuq” nuk kaluan fazën e grupeve, ata do të marrin 35.2 milionë euro.
Në anën tjetër, dinamo e Zagrebit që e mbylli grupin në kuotën e zero pikëve dhe me golavarazh -19 gola, me vetëm 3 rrjeta të shënuara dhe 22 të pësuara përfiton shifrën aspak modeste të 8.2 milionë eurove.
Gjithsesi, diferencat e të ardhurave ndërmjet Champions League dhe Europa League janë të dukshme. Kjo konfirmohet nga fakti që Atletiko e Madridit, fituese e aktivitetit të dytë për nga rëndësia, përfiton vetëm 10.5 milionë euro, nga 40 milionë euro që ishte shifra totale për shpërblimet në këtë aktivitet.