Ibra: Besoj te Murinjo, jo te Reali
“Nuk besoj te Reali i Madridit, por besoj te Murinjo”. Zlatan Ibrahimoviç “shigjeton” në këtë mënyrë rivalin kryesor të Barcelonës dhe “lavdëron” ish-trajnerin e tij. Sulmuesi suedez i “blaugranave” i ka dhënë këto deklarata duke iu përgjigjur disa fansave aziatikë, në një takim të organizuar në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut, ku katalanët do të zhvillojnë turneun aziatik. Ibrahimoviç dhe Mourinjo, të cilët kanë punuar së bashku tek Interi, nuk e kanë fshehur asnjëherë vlerësimin reciprok. Duke folur për aventurën e re, me të cilën do të përballet trajneri portugez në “Santiago Bernabeu”, Zlatan tha se “Reali do të jetë një sfidë e madhe për teknikun luzitan. Murinjo është një prej trajnerëve më të mirë në botë, për të mos thënë më i miri. Nuk besoj te forca e Realit, por besoj te Murinjo”. Më tej, duke folur për Barcelonën, suedezi ka përsëritur fjalët që tha në konferencën e parë për shtyp si lojtar i kampionëve të Spanjës. “Luaj në klubin më të mirë në botë. Në Itali fitova pothuajse gjithçka, ndieja nevojën për një sfidë të madhe dhe vendosa të bëja një hap gjigand, duke u transferuar në ‘Kamp Nou’”. Në fund, rreth futbollit italian, Ibrahimoviç tha: “Futbolli i Serisë A është shumë taktik, ndërsa në Spanjë loja është më ofensive, mbi të gjitha te Barça. Por, në Itali mësova shumë gjëra dhe u bëra lojtari që jam tani”.
#