E Diel, 1 Nëntor 2026

Liverpuli merr frymë lirisht. F. Torres: Nuk do të largohem

Sulmuesi “El Ninjo” mohon zërat për të ardhmen dhe kërkon të fitojë në “Anfilld Roud”

Fernando Torres qetëson drejtuesit dhe tifozët e Liverpulit. Së fundmi është përfolur se sulmuesi 26-vjeçar do të largohej nga “Anfilld Roud”, ndërsa çelsi dhe Mançester Junajtid janë dy skuadrat e interesuara për shërbimet e tij. Megjithatë, “El Ninjo” ka hedhur poshtë zërat që e shihnin të ardhmen e tij larg “Reds”. Fituesi i Kupës së Botës 2010 deklaroi se Liverpuli është klubi më i mirë në Angli dhe nënvijëzon se angazhimi i tij për skuadrën ka mbetur i njëjtë si në periudhën kur ai u transferua nga Atletiko Madrid. “Luaj në klubin më të mirë anglez dhe natyrisht që objektivat dhe pritshmëria janë gjithmonë shumë të larta. Shpresojmë që do të vazhdojmë të kemi një nivel të lartë: objektivi i Liverpulit është që të fitojë titullin”, deklaroi Torres në faqen zyrtare të klubit. “Sezoni i kaluar ishte shumë i vështirë, por jemi të bindur që do të përmirësohemi gjatë edicionit të ri. Jam shumë i lumtur që jam kthyer në dispozicion të skuadrës dhe që do të qëndroj me shokët e mi”.
Më tej, spanjolli shprehu hapur besnikërinë për Liverpulin: “Jam i angazhuar dhe i qëndroj besnik klubit dhe tifozëve, ashtu si në ditën kur hodha firmën. Po shoh përpara dhe pres me padurim sfidën që na pret”. Në merkaton e verës, “Reds” kanë riblerë Fabio Aurelion, ndërsa Xho Kol, Milan Jovanoviç dhe Deni Uilson janë afrimet e reja. Fernando Torres po pret me padurim që të luajë përkrah shokëve të rinj të skuadrës. Ai tha: “Pas pushimeve, ku shijoja verën me familjen, po prisja me padurim të kthehesha për t’u takuar me stafin teknik, me shokët e vjetër, por edhe me futbollistët e rinj. Sezoni i ri dhe objektivat e skuadrës më kanë stimuluar”. Trajneri i ri i Liverpulit, Roi Hodgson udhëtoi drejt Spanjës për t’u takuar me lojtarin dhe për të mësuar planet e tij për të ardhmen. Ndërkohë, Torres shprehet se është i kënaqur që do të punojë me pasardhësin e Rafa Benitez: “E vlerësova shumë faktin që trajneri erdhi të më takonte ndërkohë që isha me pushime. Ai më foli për planet dhe objektivat e tij. Shpresoj që ai të jetë trajneri i duhur për të përmbushur objektivat e klubit”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›