E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra me vlerë, aventurë apo premtim elektoral?

Kur dëgjova Kryeministrin Berisha të deklaronte në mbledhjen e qeverisë, se pagesa për legalizimin e banesave do të bëhet 80% me letra me vlerë, mendova shakanë e vjetër të tij kur dekretoi letrat me vlerë. Kjo deklaratë, jo vetëm të kthen në vitin 1995, por menjëherë të krijon ndjesinë e keqe se si dekretimi i letrave me vlerë, edhe ky vendim i qeverisë "Për pagesën e kostos së legalizimit me letra me vlerë", janë veprime djallëzore të së njëjtës qeveri, ama në kohë të ndryshme.

Dekreti nr. 1030 i 23 shkurtit 1995 "Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit" fillimisht krijoi interes dhe entuziazëm te shqiptarët, sepse çdokush do të mund të merrte diçka nga mundi dhe djersa e tij, në raport me kontributin e dhënë. Them fillimisht, sepse shumë shpejt të gjithë e panë se vlera e letrave me vlerë jo vetëm që ra ndjeshëm, deri 1.5% të vlerës fillestare, por tregu i tyre u shoqërua me probleme dhe fenomene abuzive:

1. Asnjëherë deri më sot nuk u gjet një material llogaritës për letrat me vlerë të emetuara. Përveç skemës së koeficientit të përfitimit sipas moshës nuk gjen dot asnjë kriter llogaritës për sasinë e letrave me vlerë, të emetuara në vitin 1995;

2. Ende nuk është parë të ketë pasur një skenar mbi zhvillimin e tregut të letrave me vlerë, në raport me vlerën e objekteve të hedhura në privatizimin, me kohën e hedhjes së këtyre objekteve, me vlerën e letrave me vlerë, që një individ apo subjekt juridik mund të përdorte gjatë procesit të privatizimit;

3. Në asnjë rast nuk u përcaktua përgjegjësia e shtetit (të paktën financiare) në raport me shtetasit, në rast dështimi të këtij procesi të trumbetuar me aq bujë në vitin 1995;

4. Njerëz të lidhur me pushtetin blenë në treg letra me vlerë dhe me këto letra blenë ish-ndërmarrje shtetërore, që më tej i falimentuan dhe i shitën me lekë në dorë (pavarësisht nga destinacioni fillestar), duke u pasuruar. Çështja nuk është te pasurimi abuziv i disave, që ishin të lidhur me pushtetin e asaj kohe, por se shqiptarët nuk e përfituan ish-kontributin e tyre në masën e premtuar, por vetëm 1.5 deri 4% të tij;

5. Që atë kohë, njerëz të lidhur me pushtetin grumbulluan në mënyrë të paligjshme, sasi të madhe të letrave me vlerë në pritje të shoqërive në sektorin strategjik, që pritej të fillonte pas zgjedhjeve të vitit 1996. Këto letra me vlerë zotërohen ende nga individë të tillë, e mesa duket, deklarimi apo vendimi i fundit i qeverisë lidhet me ta.

Për sa thamë më sipër, por jo vetëm, tregu i letrave me vlerë nuk funksionoi dhe të gjithëve u kujtohet shprehja që u bë mjaft popullore e "letrave me vërë". Dhe në fakt, gjithë ky proces i trumbetuar me forcë përfundoi në një farsë demagogjike që i zhgënjeu shqiptarët. Ky mund të konsiderohet një skandal financiar, ku shteti u paraqit para shtetasve si një firmë piramidale dhe u dha pikërisht shtetasve të tij letra apo para kallp në këmbim të kontributit të tyre, kontribut që përmes përdorimit abuziv të letrave me vlerë në procesin e privatizimit, ua vodhën të tjerët… me ndihmën e qeverisë.

I kujtuam të gjitha këto për të shpjeguar se ç‘po ndodh tani.

Në pamje të parë duket se Kryeministri dëshiron të ndihmojë një kategori të caktuar të popullsisë, e ndërkohë kërkon të krijojë një treg të fuqishëm të letrave me vlerë, sikurse tha vetë ai. Por nuk qëndron as njëra dhe as tjetra.

Ata që do të përfitojnë, nëse do të zhvillohet ky treg, janë shtetasit, të cilët në mënyrë të paligjshme kanë grumbulluar letra me vlerë para vitit 1997-1998, sepse i kanë blerë ato me 1.5 deri në 4% të vlerës së tyre reale dhe ka gjasa që t‘i shesin me jo më pak se 15 deri në 20%, sepse kërkesa në treg do ta rrisë vlerën e tyre. Pra, duket se Kryeministrit i ka mbetur peng që këtyre njerëzve nuk ua ka mbajtur në kohë premtimin dhe tani iu dha rasti t‘i ndihmojë fuqimisht.

Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për zhvillim të fuqishëm të tregut të letrave me vlerë, për ta thënë më troç, nuk do të kemi një treg të tyre, por një këmbim klandestin mes të interesuarve kokë më kokë. E mesa duket përsëri kemi të bëjmë me një premtim elektoral dhe vetë koha që u bë nuk të lë të dyshosh për këtë. Natyrisht që në fushata elektorale do të ketë premtime, por këto lloj premtimesh, ku synohet që shqiptarët të rimashtrohen për të njëjtën gjë, janë të padurueshme e të turpshme. Çështja është se nuk kemi të bëjmë thjesht me premtim elektoral, por me një mashtrim të madh.

Së pari, ky deklarim nuk ka bazë ligjore, përkundrazi bie ndesh me kuadrin ligjor të deritanishëm. Më konkretisht, letrat me vlerë janë emetuar me Dekretin e Presidentit Nr. 1030, datë 23.02.1995 ‘Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit‘. Pra, siç duket që në titull, këto letra me vlerë janë bono privatizimi dhe kanë një destinacion të përcaktuar mirë: përdorimi në privatizim. Këtë destinacion e ka përcaktuar në vitin 1995 me dekret, bash Berisha, atëkohë President dhe nuk mund ta ndryshojë tashmë që është Kryeministër;

Së dyti, nuk mund ta ndryshojë jo vetëm se nuk ka fuqi ligjbërëse si institucion i Kryeministrit, por edhe nëse do ta ndryshojë do të ketë pasoja financiare, që duhet të parashikohen, sepse kemi një vlerë të konsiderueshme letrash të tilla, rreth 64 miliardë lekë bono privatizimi të qytetarëve gjendje në tregun abuziv, përveç rreth 12 miliardë lekëve të ish të përndjekurve politikë, që kanë mbetur të papërdorura; pra janë rreth 76 miliardë lekë bono privatizimi, që po të përdoren jashtë destinacionit krijojnë problem të madh për ekonominë;

Së treti, zbatimi i këtij deklarimi duhet të konsiderojë edhe problemin që do të krijohet nga moszbatimi i ligjit Nr. 9482, datë 3 prill 2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", amenduar me ligjin Nr. 9885 të 9 qershorit 2008 dhe Udhëzimi Nr. 37, datë 20 nëntor 2008 i ministrit të Financave, që rregullojnë ligjërisht krijimin dhe përdorimin e të ardhurave nga procesi i legalizimit. Përderisa ky kuadër ligjor nuk përcakton pagesa me letra me vlerë, pavarësisht nga origjina e emetimit të tyre, nuk mundet një vendim qeverie të përcaktojë ndryshe. Pra, shkelja e ligjit është evidente, sepse nga pagesa në lekë kesh, thuhet që me vullnet qeverie të bëhet me letra me vlerë, që kanë si destinacion përdorimin në privatizim.

Por jo vetëm kaq, sepse neni 32, germa b e ligjit të lartpërmendur shprehet qartë se "80% (kupto: e të ardhurave nga procesi i legalizimit) i transferohen buxhetit të shtetit, për të kaluar në fondin e kompensimit financiar, të parashikuar nga ligji 9235, datë 29 korrik 2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronave‘".

Atëherë, nëse ky 80% do të jetë letra me vlerë, çfarë do të çojmë në buxhetin e shtetit? Letra me vlerë?! Por në fund të fundit, ish-pronarët me çfarë do t‘i paguajmë, me letrat me vlerë që do të mbledhim nga ky proces? Nëse ish-pronarët do të paguhen me lekë kesh nga buxheti i shtetit, atëherë rezulton që shqiptarët të paguajnë një taksë të re të kamufluar për procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje dhe e gjithë kjo se partia e Kryeministrit kërkon të mbledhë disa vota më shumë...

Pra, sikurse shihet, në këtë premtim janë pleksur shkelja e ligjit me abuzimin, rëndimi i buxhetit të shtetit në vlera të mëdha (duke ndryshuar destinacionin e përdorimit të letrave me vlerë) dhe penalizimi i shqiptarëve që të paguajnë kosto shtesë, sepse kjo është dëshira e Kryeministrit. Sa keq për shqiptarët, që gjithmonë, edhe pse nuk u takon, u bie në pjesë të paguajnë fatura të mëdha!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›