E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra flirton me Realin

Humbja 3-0 me Arsenalin në Champions League, e cila e detyroi të kritikonte publikisht trajnerin Masimiljano Alegri duket se ka bërë që Zlatan Ibrahimoviç të mendojnë seriozisht largimin nga Milani. Lajmi është bërë i ditur nga një prej gazetave më të rëndësishme sportive në Itali, "Il Corriere dello Sport" që theksonte se sulmuesi suedez kërkon të ndryshojë skuadër në fund të këtij sezoni.
Ky spekulim vjen si bombë për zyrtarët e “Djallit”, edhe pse krisja e yllit të skuadrës me trajnerin është e dukshme, pasi lojtari nuk i fshehu pakënaqësitë ndaj drejtuesit të stolit, për taktikën e gabuar dhe faktin që e aktivizoi jashtë pozicionit, duke rrezikuar eliminimin e pabesueshëm nga aktiviteti më prestigjioz për klube.
Sipas të përditshmes, destinacioni i preferuar i Ibrahimoviç është Reali i Madridit, gjithmonë nëse Zhoze Murinjo do të qëndrojë në krye të skuadrës “merengue”. Për sulmuesin mund të ishin të interesuara edhe PSG-ja dhe Mançester Siti, por ai vështirë se do të merrte në konsideratë ofertat milionere të këtyre dy klubeve, të cilat ende nuk kategorizohen mes më të mirave në Europë.
Ndërkohë, i përpiktë ka ardhur përgënjeshtrimi i lajmit, nga menaxheri i Ibrahimoviç, Mino Raiola. Ai i ka quajtur këto zera si thashetheme të rëndomta dhe pallavra. Madje, Raiola është shfaqur jo pak i zemëruar me atë që përflitet: “Më lini rehat me këto pallavra. Unë nuk jam menaxher thashethemesh; por një njeri serioz”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›