E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memoriali Vllaznia 2012

Kampioni Olimpik në Pekin 2008 dhe kampion bote në peshat mbi 91 kilogram, Roberto Kamarele i cili merr pjesë në turneun ndërkombëtar të boksit “Memorial Vllaznia 2012”, shprehet se është paraqitur në Shkodër për të fituar këtë titull, që në vitet e mëparshme është fituar nga disa boksierë italianë.
Boksieri nënvijëzon se prezenca e tij në aktivitetin në Shkodër lidhet me faktin që ia vlen të duelojë në këtë turne, i cili ka një reputacion të mirë, ndërsa ngjitja në ring do të shërbejë edhe si test për konkurrimin në Lojërat Olimpike, “Londër 2012”. Ndërkohë, ai nuk i trembet rivalëve, duke theksuar se janë ata që duhet të mendojnë për Kamarelen. Kampioni olimpik, Kamarele shprehet i bindur se do fitojë edhe turneun në Shkodër, por edhe Olimpiadën e Londrës. Ai nuk i kurseu komentet rreth shteteve pretendente, duke theksuar se konkurrentë të fortë do të jenë boksierët nga Italia dhe Shqipëria.
Ky është edicioni i nëntë i “Memorial Vllaznia 2012”, që zhvillohet në nder të disa prej figurave më të mëdha të boksit që nuk jetojnë më. Në turneun e këtij viti marrin pjesë rreth 80 boksierë nga 13 shtete, ndërsa ky edicion cilësohet si një prej më të jashtëzakonshmëve prej pjesëmarrjes, por edhe cilësisë së boksierëve që do të hipin në ring.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›