Morati takohet me Vilas-Boas

Të enjten, Masimo Morati hodhi poshtë të gjithë zërat se kishte nisur kontakte me trajnerë të tjerë, për të zëvendësuar Klaudio Ranierin. Megjithatë, nga Anglia vijnë lajmet se presidenti i Interit është takuar me Andre Vilas-Boas në Londër, gjatë fundjavës së kaluar. Realiteti tregon se pavarësisht përgënjeshtrimeve të njëshit të klubit zikaltër, këtë taktikë ai e ka përdorur edhe në të kaluarën, kur mohoi takimin me Zhoze Murinjon, që më pas mori drejtimin e Interit. Sipas mediave britanike, Morati ka darkuar me Vilas-Boas në një prej hoteleve lukzosë të Londrës dhe besohet se ata kanë hedhur bazat e bashkëpunimit për Interin e së ardhmes. Emërimi te ziklatërit, i trajnerit të talentuar portugez, që vetëm pak ditë më parë u largua nga Çelsi, pritet të ndodhë gjatë sezonit të ardhshëm. Kjo edhe për faktin se Morati nuk ka më ndërmend që të ndryshojë trajner gjatë sezonit, duke bërë që Ranieri të drejtojë ekipin deri në fund të edicionit dhe më pas do të nisë projekti me teknikun e ri. Vilas-Boas është zgjedhja e parë e Interit, edhe pse në Francë janë të bindur se kandidati më i fort për të marrë drejtimin e skuadrës, është tekniku i përfaqësueses së “gjelave”, Loran Blank.