E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibra, gati të sakrifikojë 3 milionë euro për Barçën

Zlatan Ibrahimoviç po hedh bazat e transferimit te Barcelona, nga ku do të largohet Samuel Eto‘o, i cili nuk dëshiron ta rinovojë kontratën që përfundon në vitin 2010. Në anën tjetër, edhe drejtuesit në "Kamp Nou" joshen nga ideja për të afruar në skuadër suedezin e Interit. Klubet ende nuk kanë zhvilluar bisedime zyrtare, por sipas zërave që qarkullojnë, menaxheri i sulmuesit duket se ka gjetur marrëveshjen me katalanët. Parakontrata mes lojtarit dhe klubit spanjoll shihet si arsyeja e vetme përse Mino Raiola ka refuzuar të takohet me krerët e Çelsit në Montekarlo. Për të anashkaluar një ofertë të mundshme të klubit të Roman Abramoviç, përfaqësuesi i 27-vjeçarit duhet të ketë në dorë diçka vërtet interesante. Aq më tepër që Ibra nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur te Barça, përkrah Mesit, Henrisë, Iniestës e Ksavit. Pengesa kryesore për transferimin e Zlatan Ibrahimoviç te skuadra që në mbrëmjen e së mërkurës fitoi Kupën e Mbretit, është rroga. Në kontingjentin e mrekullive të drejtuar nga Pep Guardiola, lojtari më i mirë është Lionel Mesi, i cili paguhet më pak se tetë milionë euro në vit. Klubi nuk ka ndërmend ta konfirmojë rrogën që suedezi përfiton te Interi: plot 12 milionë euro. Megjithatë, për të kaluar te Barcelona, e cila në fund të muajit ka shansin të shpallet kampione e Evropës, Zlatan Ibrahimoviç është i gatshëm të sakrifikojë edhe të ardhurat sezonale. Sipas menaxherit Raiola, për të luajtur me fanellën "blaugrana", sulmuesi pranon ta ulë automatikisht rrogën deri në 9 milionë euro (duke llogaritur shpërblimet në bazë të paraqitjeve dhe rezultateve të ekipit).

Tjetër "problem" që duhet kaluar është rezistenca e Interit të Masimo Moratit. Përveçse është "i dashuruar" me Ibrën, në rast se lejon largimin e sulmuesit, patroni zikaltër rrezikon të përballet me zemërimin e tifozëve. Por, për një shifër të lartë, ai mund të lejojë shitjen e lojtarit kryesor të skuadrës së Murinjos. Udhëzimet e tij janë të qarta dhe zyrtarët në rrugën "Vitorio Emanuele II" do të ulen në tavolinën e bisedimeve me homologët katalanë vetëm nëse oferta fillestare kap kuotën e 70 milionë eurove. Për të ulur disi vlerën e kartonit, Barça mund të vendosë në "pjatë" Samuel Eto‘o. Kamerunasi ndodhet prej kohësh në listën e dëshirave të interistëve dhe nuk përjashtohet arritja e një marrëveshjeje që i kënaq të dyja palët. Një tjetër alternativë për të ruajtur repartin ofensiv në nivele të larta është edhe Diego Milito. Lojtari i Xhenoas ka realizuar 19 gola në këtë edicion të Serisë A. Gelfi, Oriali dhe Branka janë takuar me menaxherin e argjentinasit, i cili i ka konfirmuar dëshirën e sulmuesit për të luajtur me Interin. 29-vjeçari pretendonte kontratë 4-vjeçare, me rrogë 4 milionë euro në sezon, por në fund palët kanë rënë dakord për tre vjet kontratë dhe 3,6 milionë euro në sezon. Sulmuesi kushton 25 milionë euro, ndërsa zikaltërit kanë ofruar 16 milionë euro, gjysmën e kartonit të Robert Akuafreskas dhe huazimin e mbrojtësit të ri, Leonardo Bonuçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›