E Diel, 1 Nëntor 2026

Real: Perez shpall kandidaturën, gati një "projekt spektakolar"

Florentino Perez bëri dje një rikthim të bujshëm pas 1172 ditësh, kur u rishfaq në ballkonin "Casa Blanca"-s, i prezantuar nga shtypi madrilen si Obama i ri. Në "Salon Real" të hotelit "Ritz" ishin gati 300 persona dhe ish-presidenti i erës "Galactica" nuk u zmbraps. Për një orë e 20 minuta bëri një performancë simpatike, duke u përgjigjur me elegancë e mjeshtri pyetje të shumta rreth çdo teme. Në fillim bëri një shpjegim të detajuar për "pse"-të e largimit të tij në shkurt të 2006-ës dhe më pas ilustroi "projektin spektakolar" që ka në mendjen për Madridin në rast se do të zgjidhet president më 14 qershor. Ende nuk dihet nëse do të ketë rivalë, pasi duhet pritur për të parë nëse ndonjë do të ketë kurajën për t‘iu kundërvënë këtij gjigandi. Juan Onieva ka siguruar se do ta sfidojë Perezin, por kohët e fundin po përflitet për një tërheqje të tij. Ish-presidenti ka deklaruar se tërheqja e tij në 2006-ën ishte gabim: "Mendoja se klubi ishte solid mjaftueshëm për të ecur përpara, por gabohesha". Pastaj ka sqaruar të ardhmen, që do të bazohet në një projekt special: "Stabilitet, shpresë, siguri", janë fjalët çelës për "projektin e tij spektakolar". "Për të fituar duhet të investosh, dhe duke parë që duhet të blejmë shumë lojtarë në vitin e parë, do të jemi të detyruar të bëjmë një sforco të madhe ekonomike, për të krijuar bazën e projektit tonë", tha Perez. Ish-presidenti nuk mund të zbulonte emra, por disa gjëra bëhen me intuitë: është i sigurt prezantimi i kandidaturave të Horge Valdanos e Zinedin Zidan. Kjo është tentativa e parë për të sjellë në Bernabeu yjet e mëdhenj botërorë: Kristiano Ronaldo, Kaka, Riberi, janë emrat më të përfolur në hotel "Ritz". Po ashtu pritet rikthimi i politikës "Zidane dhe Pavones": "Ky ka qenë gjithmonë modeli i Realit: lojtarë të mëdhenj, ndërthurur me të rinj të rritur në ekipet zinxhir. Nuk mendoj se është një strategji e gabuar", shprehet Perez. Problem janë individualitetet: "Reali ka nevojë për lojtarët më të mirë në botë", përfundon kandidati favorit, i cili kërkon ta rikthejë Realin në majat e dikurshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›