E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra jashte Milan-Juve

Dueli për titullin në Serinë A, ndërmjet Milanit dhe Juventusit, që do të luhet më 25 shkurt, nuk do të ketë një prej protagonistëve kryesorë. Bëhet fjalë për Zlatan Ibrahimoviç. Sulmuesi është njohur me vendimin e Disiplinës italiane, që e ka skualifikuar për tre javë të Serisë A. Vendimi erdhi për kartonin e kuq, që suedezi mori në ndeshjen e luajtur të dielën kundër Napolit, ku në pjesën e dytë të lojës goditi me shuplakë lojtarin e ekipit kundërshtar, Aronika. Veprimi i suedezit është kategorizuar në pikën që parashikon “sjelljen e dhunshme” dhe që ndëshkohet me tre ndeshje pezullim. Në deklaratën zyrtare lexohej se “Ibrahimoviç ka goditur një kundërshtar me shuplakë kur loja kishte ndaluar, ndërsa kjo shkelje është parë nga njëri prej asistentëve”. Klubi i Milanit, i cili priste që sulmuesi kryesor i ekipit të pezullohej vetëm për dy ndeshje, ka bërë të ditur nëpërmjet faqes zyrtare se “do ta apelojë ndëshkimin e disiplinorit”. Kuqezinjtë do të provojnë ta kategorizojnë episodin vetëm si “sjellje anti-sportive”, që sipas rregullores ndëshkohet vetëm me dy javë pezullim. Kjo do të bënte që suedezi të humbiste ndeshjet jashtë fushe me Udinezen dhe Çezenën, port ë ishte i gatshëm për duelin me Juventusin, ku mund të përcaktohet fati i kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›