Superliga vlen 5.7 mln euro me teper

Nëse për të gjitha klubet botërore, ose të paktën ato europiane merkato e janarit shërben për të riparuar skuadrat, në Shqipëri ndodh që gjatë afatit të transferimeve të dimrit, ekipet të pësojnë ndryshime rrënjësore. Një pjesë e konsiderueshme e klubeve të Superligës e shfrytëzojnë merkaton për prurje të shumta lojtarësh, duke bërë që kjo të ndikojë në mënyrë të drejtë për drejtë në rritjen e vlerës së kampionatit. Në fakt, sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, duke e krahasuar me startin e sezonit, vlera e Superligës ka shkuar në 33 milionë e 666 mijë euro, rreth 5.7 milionë euro më tepër se në muajin gusht, kur vlera e të gjitha skuadrave ishte më pak se 28 milionë. Gjithsesi, kriza financiare e një numri të konsiderueshëm klubesh elitare ka bërë që vlera e Superligës të bjerë në krahasim me një vit më parë, kur në janar 2011, kampionati shqiptar vlente mbi 52 milionë euro. Skuadra më e shtrenjtë në Shqipëri, ashtu si edhe në fillim të edicionit, mbetet Flamurtari, me 5.1 milionë euro. Vlonjatët kanë një rritje të dukshme në krahasim me 6 muaj më parë kur I gjithë kontingjenti kushtonte 3.5 milionë euro. Në vendin e dytë është ngjitur Skënderbeu. Kampionët e Shqipërisë vlejnë 3 milionë e 525 mijë euro, gjysmë milioni më shumë se në gusht. Korçarët zbresin në vendin e tretë Kamzën, me 3 milionë e 75 mijë euro, ndërsa Tirana është e katërta, me vlerën e skuadrës që përllogaritet në 2 milionë e 825 mijë euro. Për çudi, Teuta kryesuese e kampionatit është vetëm e teta në këtë klasifikim special, me vlerë mbi 1.9 milionë euro dhe lihet mbrapa nga Kastrioti, Laçi e Pogradeci. Bie vlera e Vllaznisë, nga 2 milionë e 225 mijë euro në 1 milionë e 550 mijë euro, ndërsa Dinamo ngrihet nga vendi I 12-të në të 9-in, edhe pse vlera e skuadrës ka rënë. Kjo lëvizje e bluve lidhet me rënien e ekipeve të tjera. Renditja mbyllet nga Apolonia, një skuadër që kushton “vetëm” 475 mijë euro dhe e vetmja në Superligë që nuk e kap vlerën të paktën 1 milionë euro.