E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda e Formula 1 Zhan Todt vizite ne Tirane

Një prej figurave legjendare të Formula 1 dhe aktualisht presidenti i Federatës Botërore të Automobilizmit, Zhan Todt ka mbërritur në Tiranë për të promovuar dekadën e sigurisë në rrugë. Të hënën, Todt është takuar me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, që rastësisht nisi në Ekspozitën me Kostume Etnografike. Francezi, që është një prej emrave më të mëdhenj të sportit të automobilizmit shprehu kënaqësinë për vizitën në Shqipëri, bëri thirrje për siguri në rrugë dhe foli rreth planeve të FIA-s. “Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu për të folur në 360 gradë për problemet e automobilizmit në vendin tuaj. Synimi ynë është të transmetojmë sigurinë në rrugë, pasi ka shumë probleme nëpër botë. Mesazhi im është kjo spilë për ministrin Bumçi, për mbështetjen e tij. Duhet ti edukojmë njerëzit dhe kemi nevojë për ambasadorë. Uroj që qeveria të jetë gati të investojë në këtë vend shumë të bukur dhe jam i sigurt se kjo do ti shtyjë njerëzit të vizitojnë Shqipërinë. Gjithashtu uroj që makinat të kenë teknologji të përshtatshme dhe që shoferët të ecin me rrip sigurimi e të evitojnë alkoolin. Këto zhvillime janë të domosdoshme për objektivat e FIA-s, që të shpëtojë 5 milionë jetë njerëzish dhe 50 milionë të plagosur nëpër botë në 10 vitet e ardhshme”, tha Todt. Nga ana e tij, ministri Bumçi theksoi se vizitën e kreut të automobilizmit do ta shfrytëzojë për mbështetjen e kësaj federate në vendin tonë dhe promovizimin e turizmit. Zhan Todt, i cili ka marrë drejtimin e FIA-s dy vjet më parë, pas sukseseve të jashtëzakonshme si Drejtori i Përgjithshëm i skuadrës Ferrari, ka në axhendë edhe një takim me ministrin e Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit, Sokol Olldashi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›