Ibra sfidon Interin: Nuk mund të gabojmë
Barcelona luan një pjesë të mirë të sezonit në sfidën e sotme në "Kamp Nou" kundër Interit në Ligën e Kampioneve. Një sfidë shumë delikate për skuadrën e Pep Guardiolës. Humbja përballë zikaltërve, e kombinuar me fitoren e Rubin Kazanit kundër Dinamos së Kievit do të eliminonte kampionët në fuqi të Europës. "Blaugranat" vijnë në këtë sfidë me një formacion të përgjysmuar: Jaja Ture dhe Erik Abidal nuk luajnë për shkak të gripit A, Lionel Mesi është në dyshim pas një dëmtimi muskulor në këmbën e majtë, por mund të zbresë në fushë, megjithëse nuk do të jetë në 100 për qind të formës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Zlatan Ibrahimoviç, i cili ende nuk është rehabilituar plotësisht pas dëmtimit. Aktivizimi i tyre si titullarë do të vendoset vetëm në çastet e fundit, pasi ata shihen si dy elementë mjaft të rëndësishëm për katalanët. Rreth fillimit mjaft të mirë të sezonit të Barça, Ibrahimoviç tha: "Nuk prisja që ta filloja sezonin në këtë mënyrë. Shpresoja që të luaja mirë, por mendoja se do të më nevojitej pak kohë për t‘u ambientuar. Gjithsesi, trajneri dhe shokët e skuadrës më ndihmuan dhe vazhdojnë të më ndihmojnë. Kur luan përkrah lojtarëve kaq të talentuar, duhet të mendosh të bësh mirë vetëm punën tënde, sepse gjithçka vjen në mënyrë natyrale". Ndryshimet në krahasim me aventurën tek Interi janë të shumta, duke filluar prej mënyrës së lojës: "Te Barça luan si sulmues kryesor, por trajneri më lejon që të spostohem majtas ose djathtas, ndërsa një mesfushor zë vendin tim. Te Interi isha më i izoluar dhe kisha më shumë hapësira në sulm". Kur i kërkohet të bëjë një krahasim ndërmjet Guardiolës dhe Murinjos, suedezi shfaqet më i balancuar: "Të dy janë të aftë t‘u shpjegojnë lojtarëve çfarë kërkojnë në fushë. Janë dy trajnerë fitues dhe që kanë dëshirë të marrin sa më shumë trofe. Edhe në nivelin personal, ata kanë marrëdhënie shumë të mira me futbollistët, janë mjaft profesionistë". Deri më tani te Barça, Ibra ka fituar Superkupën e Europës dhe Superkupën e Spanjës, por sulmuesi shpjegon se "kërkoj të fitoj gjithçka. Dëshira është të përsërisim ‘tripletën‘ (kampionat, Kupë dhe Champions), do të jetë e vështirë, por jemi të fortë psikologjikisht dhe kemi eksperiencë". Përveç fjalëve të mira për Interin, ish-skuadrën e tij, Ibra thekson: "Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, nuk mund të gabojmë. Nëse fitojmë ngjitemi në krye të grupit. Deri më tani kemi qenë të pafat, por me zikaltërit do të jetë një sfidë e madhe dhe jam shumë optimist: mendoj se mund ta ndryshojmë situatën në favorin tonë". Në fund edhe dy fjalë për "Klasiken" me Realin e Madridit, që do të luhet në fundjavë në "Kamp Nou": "Edhe përballja me Realin është e rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe për klubin, për tifozët dhe për të pasionuarit e futbollit. Kjo ndeshje tërheq interesin e të gjithëve, do të luajmë në fushën tonë dhe jam i sigurt se do të fitojmë". Në fund edhe sqarimi rreth përfaqësueses suedeze: "Do t‘i qëndroj besnik vendimit tim për të mos luajtur më me Suedinë, por askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen".