Ibra, sikur vera e kuqe

“Unë jam si vera. Sa më i vjetër që jam, bëhem më i mirë”, deklaroi sulmuesi suedez për të përditshmen Aftonbladet. “Shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë. Ndihem mjaft mirë këtu në Milan. Kam bërë punë fantastike këtë sezon”, theksoi ish futbollisti i Malmos, i Ajaxit, i Juventusit, i Interit dhe i Barcelonës.
Pep Guardiola u largua nga Barcelona dhe mediet shkruajnë se trajneri spanjoll mund t’i bashkohet Milanit gjatë verës. Mirëpo, Ibrahimovic nuk brengoset për këtë punë. Ai thotë se më shumë po mendon se si ta ndihmojë ekipin e tij deri në fund të këtij sezoni.
“Këtë sezon i kam thyer të gjitha rekordet personale, kështu që do të ishte ndjenjë e mirë po të mund të fitoja me këtë rekord. Nuk dua të mendoj se nuk kemi fituar asgjë. Kanë mbetur edhe tri lojë, kështu që do të mundohemi ta japim më të mirën dhe të fitojmë. Ne nuk dorëzohemi”, përfundoi futbollisti me prejardhje boshnjake.