Kualifikohet Tirana, 1 Plak ndal Vllazninë
Kupa/ Fiton edhe Bylisi ndaj Kastrioti, Laçi surprizën Flamurtarin.
Skënderbeu, një pikë me fat. Vujadinoviç “tremb” Shkëmbin.
Tirana ka fituar takimin e radhës në Kupë ndaj Kamzës, duke bërë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Sakaq, komplikohet situata në grupin B, ku të dyja takimet e djeshme përfunduan në barazim 1-1. Përballja në kryeqytet mes bardhebluve dhe kamzalinjve mund të konsiderohet si ndeshja e rasteve të humbura. Lojtarët e Rubios patën plot 12 raste të pastra, por realizuan vetëm dy gola, të cilët u mjaftuan fituesve në fuqi të kupës për të sigluar suksesin e radhës. Një gol i Balës në të 51′-tën dhe ai i Cikalleshit në të 84′-tën kanë vulosur triumfin e Tiranës. Me një Tiranë paksa më të përforcuar, ekipi i Rubios zhvilloi një takim relativisht të mirë, ndonëse nuk ishte maksimumi. U prodhua shumë, por u shpërdorua po aq para portës së kamzalinjve, dhe pikërisht ky fakt e bëri me dhimbje koke trajnerin spanjoll. Por, ajo që vlen më tepër është pikërisht kualifikimi, dhe bardheblutë po tregojnë se këtë sezon, ndonëse mes shumë halleve, do të luftojnë në dy fronte. Po në këtë grup, Bylisi fitoi 3-2 ndaj Kastriotit, duke u kthyer kështu reston krutanëve, të cilët në ndeshjen e parë fituan me rezultatin 4-2. Të besuarit e Shansojit, ashtu siç pritej, bënë një autokritikë për të marrë sërish vendin që u takon në grup, të dytin me 5 pikë. Ndërsa ekipi i Ramadan Ndreut nuk mundi të bënte dot asgjë. Megjithatë, asgjë nuk është e mbyllur për një tjetër vend në çerekfinale, pasi Bylisi duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj Kamzës në ndeshjen e radhës, pasi vetëm kështu mund të vazhdojë ëndrrën për kualifikim. Akoma më e komplikuar situata në grupin B, ku Skënderbeu iu fal Sebino Plakut në sekondat e fundit të lojës në përballjen ndaj Vllaznisë. Atëherë kur stoli i shkodranëve po bëhej gati të festonte, erdhi edhe çarja në mbrojtjen kuqeblu dhe goditja fatale e Plakut, e cila i dha një pikë të rëndësishme skuadrës korçare, duke i mbajtur sërish në krye të grupit B. Nga ana tjetër, Vllaznia ndëshkohet sërish nga gabimet të repartit difensiv (sërish Sykaj) dhe nuk arrin të marrë atë që realisht meritonte. Duhet thënë se Skënderbeu humbi edhe një penallti me Shkëmbin, ku meritë të padiskutueshme pati portieri i kuqebluve, Vujadinoviç. Vlen për t’u theksuar se në këtë ndeshje, arbitri i katërt akordoi tri minuta shtesë, por që çuditërisht u bënë pesë, aq sa mjaftoi që Plaku të gjente një “tunel” të lirë në zonë duke barazuar shifrat. Ndërkohë flirtoi me fitoren dje edhe Laçi në Vlorë, përderisa kryesoi ndeshjen deri në minutën e 89-të, kur Pejiç barazoi me një penallti të dyshimtë.
Grupi 1
Tirana-Kamza 2-0
Bylis-Kastrioti 3-1
Renditja
Tirana 10 pikë, Bylis 5 pikë, Kastrioti 4 pikë, Kamza 2 pikë.Grupi 2
Skënderbeu-Vllaznia 1-1
Flamurtari-Laçi 1-1
Renditja
Skënderbeu 8 pikë, Vllaznia dhe
Flamurtari nga 5 pikë, Laçi 2 pikë.
LEONARD KARAJ