Kreu i Këshillit Bashkiak në gjyq për 35 kile drogë
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon të pandehur në gjykatë me akuzën e trafikimit të narkotikëve, ish-kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tepelenës, Petrit Abedini. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se Krimet e Rënda përfunduan hetimet për trafikimin e 35 kileve marijuanë, dhe dërguan në gjykatë dosjen penale ndaj 50-vjeçarit Petrit Abedini. Ky i fundit u arrestua më 18 gusht 2009 në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, pas një kontrolli të policisë në automjetin tip Kamion me targa TP 2798 B, dhe rimorkio me targa TP 2808 B, në pronësi të kreut të Këshillit Bashkiak të Tepelenës. Bazuar në informacionet operative, policia e Gjirokastrës ka ushtruar kontroll në automjet, ku poshtë dërrasave të dyshemesë së trajlerit, janë gjetur 43 pako plastike, në të cilat pas matjeve, rezultoi se ishin vendosur 35 kilogramë lëndë narkotike, e cila sipas ekspertimit, është kanabis sativa.
I dyti i trafikut
Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke hetuar një person të dytë të implikuar në trafikimin e 35 kileve hashash, pasi në pakot e drogës, janë gjetur gjurmë gishtash, të cilat nuk përkojnë me shenjat e të arrestuarit Petrit Abedini. Ndërkohë ky i fundit, e ka kundërshtuar akuzën. Ai është shprehur se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike që ndodhej në automjetin e tip MAN, me targa “TP 27 98 B” (koka e kamionit), e drejtuar prej tij si dhe trajlerin me targa “TP 28 08 B”. Sipas zyrtarit të Këshillit Bashkiak, përfaqësues i PSV 91, atë ditë shoferi i kompanisë së tij të konfeksioneve kishte shkuar në Greqi. Për shkak se ai nuk mund të shtynte transportin e mallit (veshje) për në Greqi, ai ka vendosur ta drejtojë vetë makinën. “Nuk kam dijeni kush e ka futur drogën në kamionin tim”, ka pohuar zyrtari i Këshillit Bashkiak të Tepelenës. Ai e ka konsideruar arrestimin e tij një kurth politik që i bëhet për shkak se në zgjedhjet e ardhshme lokale, ai do të garonte si kandidat për kryetar Bashkie të Tepelenës. Gjykata e krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të dyshuarit. Dosja penale ndaj tij, u transferua nga policia e Gjirokastrës në Prokurorinë e Krimeve të rënda pas kualifikimit të akuzës si trafik lëndësh narkotike.