Ibrahimoviç i zhgënjyer dhe i tradhtuar nga Milani
Kush ka patur mundësinë të kontaktojë drejtpërdrejtë apo nëpërmjet telefonit Zlatan Ibrahimoviç në ditët e fundit, kupton se ka përballë një person të zhgënjyer, të tradhëtuar, të nxehur dhe viktimë e një marrëveshjeje jashtë vullnetit të tij. Qendërsulmuesi suedez që pritet të firmosë kontratën me francezët e PSG-së, nuk e përtyp dot statusin e të qenit i padëshirueshëm në radhët e Milanit, ndoshta ngaqë në të gjitha lëvizjet e mëparshme të karrierës së tij ka qenë ai që ka vendosur se kur dhe si të ndërpresë marrëdhëniet e punës me një klub të caktuar (kujto Ajaks, Juventus, Inter e Barcelona). Pikërisht me këtë lidhet edhe zemërimi i Zlatan me Milanin, pasi ai nuk është mësuar që për të ardhmen e karrierës së tij në futboll të vendosin të tjerët, siç po ndodh në këtë rast, në kalimin e tij nga nënkampionët italianë tek nënkampionët francezë. Sulmuesi shtatlartë është shprehur tej mase i zhgënjyer nga sjellja e Milanit, i cili sipas tij i kishte premtuar numrin 10 në fanellë, meqë Sedorf në fund të sezonit vendosi të largohej nga Milani.
Debati Ibra në Parlament
Ndërkohë duke lënë mënjanë zhgënjimin e tij, operacioni i Paris SG, që synon të përfundojë blerjen e Zlatan Ibrahimovic pas asaj të Thiago Silvës u shndërrua në çështjen e ditës në Parlamentin Francez. Ndërsa socialistët e Hollande kanë nisur debatin për reformimin e sistemit fiskal, rasti Ibra është ilustruar prej deputetëve në shumicë si shembulli më i mirë i asaj që nuk duhet të jetë Franca e së ardhmes. Në fakt, klubi parizien është vendosur në qendër të kritikave, që në një kohë të vështirë për shumë francezë, ka shpenzuar 173 milionë euro në vetëm një vit për blerje, me pagat e formacionit titullar që kalojnë 58 milionë euro. Kjo do të thotë se arkat e Paris SG janë në deficit të thellë, por sheikët që kanë marrë klubin në pronësi mbulojnë humbjet, përtej të gjitha normave rreth fair-play financiar.
Taksat dhe Ibra
Për këtë arsye, rasti i Ibrës është sjellë në Parlament për të ilustruar ajo që politika e Hollande dëshiron të arrijë, taksa deri në 75% për fitimin e të gjithë atyre që arkëtojnë në vit mbi një milionë euro, duke lehtësuar kështu xhepat e qytetarëve të thjeshtë. Ndërkohë, nëse sulmuesi suedez do të transferohet përfundimisht tek Paris SG, duke pranuar pagën prej 14,5 milionë euro, ai do të shndërrohet në futbollistin e tretë me rrogën më të lartë, pas Etoo që fiton 20 milionë euro tek Anzhi në Rusi dhe Drogba, paga e të cilit në Shanghai është prej 15 milionë eurosh.
Sneijder-Robinho, edhe ata drejt largimit
Pas Ibrahimovic dhe Thiago Silva, kampionati italian i futbollit mund të privohet edhe nga një prej yjeve të tij të paktë të mbetur. Sipas asaj që shkruante të martën La Gazzetta dello Sport, Sneijder mund të mos jetë më në planet e ardhshme të Interit, duke lehtësuar kështu një transferim të tij të mundshëm në Premier League, Bundesligë apo tek Paris SG, që po vëzhgon situatën. Përsa i përket merkatos së Interit, ende mungojnë piketimet e rëndësishme dhe aktualisht, zikaltërit po përpiqen të largojnë, përpara se të përqendrohen në afrime të reja. Me blerjen e Handanovic, portieri Julio Cesar është drejt largimit, ashtu si Maicon dhe Pazzini. Ndërsa tek Milani, pas transferimit të dy yjeve kryesore të skuadrës, drejt ikjes duket se është edhe braziliani Robinho, për të cilin Santos ofron pesë milionë euro, plus kartonin e portierit Rafael, për të cilin kuqezinjtë kanë shfaqur interes. Ndonëse oferta nuk është marramendëse, largimi i Robinhos do të ndihmonte 18 herë kampionët e Italisë që të kursenin rreth 20 milionë euro të tjerë, nga paga prej gjashtë milionë eurosh e sulmuesit plus bonuse, për tre sezonet e ardhshme. Tek Juventusi, situata paraqitet e ngjashme, me klubin torinez që gjithashtu po përpiqet të gjejë një sistemim për lojtarët e mbetur jashtë projektit, si Krasic, Iaquinta dhe njërin midis Quagliarella e Matri.