E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj vë kurora mbi “Dëshmorët e Atdheut”, në Durrës

06/05/2005  DURRËS- Me rastin e 5 Majit, “Ditës së Dëshmorëve”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, zhvilloi dje aktivitete përkujtimore në qytetin e Durrësit. Në anën tjetër janë përkujtuar në qytete të tjera të vendit “Dëshmorët e Atdheut”. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, bëri të ditur dje se Ibraj ishte i shoqëruar nga drejtori Policisë së Durrësit, Muharrem Bardhoci. Ata kanë vendosur kurora në varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut” të këtij qyteti dhe mbi varrin e “Dëshmorit të Policisë”, Arben Lasku, rënë në krye të detyrës më datë 13.06.1997. Më pas është vijuar me vendosje kurorash në memorialin përkujtimor vendosur në qendër të qytetit për dëshmorin tjetër të Policisë, Ali Ramiz Shika, rënë në krye të detyrës më datë 15.03.1997. Këta dëshmorë të Policisë së Shtetit, me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” në Ministrinë e Mbrojtjes kanë përfituar këtë status.

Aktivitetet më këtë rast kanë vazhduar me vizita të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në familjet e dy dëshmorëve të mësipërm. Burimet zyrtare të Policisë njoftojnë se ndër radhët e “Dëshmorëve të Atdheut”, numërohen gjithsej katër punonjës policie të rënë në krye të detyrës, të cilët kanë përfituar statusin. Ata janë Ali Shika, Arben Lasku, vrarë në vendin e quajtur Laç, Vau i Dejës, Ilir Gjyrdeti, vrarë më 25.10.1990, nga nënoficer Adhurim Sallmone, Shaqir Lleja, vrarë në 14.09.1997, në Krujë nga maskat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›