E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koka e prerë nuk është e Irenës

06/05/2005  Ekspertiza mjeko-ligjore konkludoi se i kishte të gjithë dhëmbët natyralë, ndërsa Seli, sipas familjarëve, kishte bërë protezë

Koka e prerë e një femre, që u gjet e groposur në zonën e Sukthit në Durrës, nuk është ajo e Irena Selit. Gjatë konsultës së posaçme dje, ekspertët mjeko-ligjorë, specialistë stomatologjie dhe hetues të Krimeve të Rënda, kanë konkluduar se koka e dekompozuar nuk kishte asnjë të dhënë fizike të përafërt. Kjo, pasi viktima e gjetur i kishte të gjithë dhëmbët natyralë, fakt që është përcaktuar nga specialistët e stomatologjisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë. Ndërsa Irena Seli, sipas dëshmive të familjarëve të saj, ka pasur disa proteza, që janë verifikuar edhe nga hetuesit. Sipas kartelave, rezulton se Irena Seli ka pasur të vendosur disa dhëmbë porcelani.

Ekspertiza

Ekspertiza mjeko-ligjore e kryer paraditen e djshme në morgun e kryeqytetit për kokën e prerë të gjetur tri ditë më parë, në Sukth të Durrësit, ka hedhur poshtë përfundimisht dyshimet se mund t’i përkiste Irena Selit. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku është kryer një konsultë mes ekspertëve të këtij institucioni, specialistëve stomatologë dhe hetuesve të Krimeve të Rënda. Sipas këtyre burimeve, është konkluduar që koka e prerë nuk i përket Irena Selit. Kjo për faktin se të gjithë dhëmbët e kafkës kanë rezultuar të jenë natyral. Ndërsa nga dëshmitë paraprake të dhëna nga familjarët e Irenës, është mësuar se e zhdukura që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar, kishte kryer proteza të dhëmbëve në Shqipëri. Madje është arritur të verifikohet me dokumentacione se Irena kishte vendosur disa dhëmbë porcelani, thonë burimet. Burimet sqarojnë se nga ekspertiza është konkluduar zyrtarisht se koka e prerë i përket një femre të moshës 30 deri në 40 vjeç dhe se është goditur fillimisht me plumb pas koke. Ndërsa pas ekzekutimit me plumb, i është ndarë koka nga trupi me thikë. Sipas mjeko-ligjorëve, viktima mund të jetë ekzektuar një muaj më parë.

Hetimi

Hetimin për identifikimin e femrës së zhdukur, të cilës i përket koka e gjetur tri ditë më parë në Sukth, po e kryen policia dhe prokuroria e Durrësit, në bashkëpunim me blutë e kryeqytetit. Kjo, pasi dyshohet që femra të jetë nga këto zona. Sipas burimeve policore, pritet të kryhet identikiti i viktimës, që do të krahasohet me fotot e femrave të zhdukura gjatë dy muajve të fundit. Ndërkaq, mjeko-ligjorët në bashkëpunim me ekspertë të kriminalistikës, kanë fotografuar dhe po kryejnë matjet e kafkës, nga ku do të përcaktohet identikiti. Gjithashtu mësohet se do të kryhet edhe analiza e ADN-së, me qëllim që, nëse gjendet ndonjë pjesë trupi në ditët në vazhdim të krahasohet, për të konkluduar nëse janë të njëjta. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se janë dy pista në të cilat po hetohet dhe verifikohet për identifikimin e viktimës. Dyshimet janë ngritur se viktima mund të jetë ekzekutuar nga i shoqi si pasojë e një sherri familjar dhe të jetë mbajtur e fshehtë. Për këtë shkak po hetohet në të gjithë fshatrat e zonës përreth e në Durrës, për gjetjen e informacioneve për zhdukjen e ndonjë gruaje të padenoncuar. Po kështu policia ka ngritur dyshimet, se viktima mund të ketë qenë ndonjë prostitutë e ekzekutuar nga tutori i saj, përfundojnë burimet.

“Pengimi për ta parë më shton dyshimet se mund të ma fshehin të vërtetën”

Ylli Seli: ”Shpresoj të mos jetë Irena”

Gjatë një komunikimi telefonik dje me gazetën “Metropol”, vëllai i Irena Selit, Ylli Seli është shprehur se asnjë zyrtar që ka bashkëpunuar në kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore të kokës së prerë të gjetur në Sukth, nuk i ka dhënë një përgjigje për rezultatin. Madje, ai ka pohuar se nuk është lejuar të kontaktojë me drejtuesit e Mjekësisë-Ligjore. Ndonëse ka insistuar. Ylli Seli sqaroi se ka qenë i shoqëruar me gazetarë, të cilët janë lejuar të hyjnë për t’u sqaruar, ndërsa ai jo. Ai pohoi dje se do të insistonte edhe në ditët në vazhdim që ta shikonte me sytë e tij kokën e prerë, të gjetur në Sukth. “Rezultatin e ekspertizës e mësova nga gazetarët, të cilët më kanë marrë në telefon. Nuk e di pse askush nga zyrtarët që kryen ekspertizën, nuk më njohën me konkluzionet. Ndonëse unë u interesova dhe u kërkova që të shikoja kokën e prerë, asnjë nuk më lejoi një gjë të tillë. Vetëm më kanë pyetur nëse Irena ka pasur apo jo protezë dhëmbësh. Dhe unë u kam thënë se ka pasur të vendosur disa dhëmbë porcelani. Jam në ankth pa e parë vetë kokën e prerë që u gjet në Sukth. Ndonëse shpresoj me gjithë zemër që ajo të mos jetë e Irenës, druhem dhe dyshoj se ata që kryen ekspertizën nuk mund të tregojnë të vërtetën për arsye hetimi. Unë do të insistoj edhe në ditët në vazhdim, që të më lejojnë ta shoh kokën, pasi jam në ankth deri në momentin që nuk e kam parë me sytë e mi. Më duket sikur ajo është koka e Irenës, dhe ma fshehin për shkaqe hetimi. Megjithatë shpresoj që të mos jetë ajo”. Këto kanë qenë fjalët e Ylli Selit, i cili theksoi se do të insistonte gjer në fund që të lejohej të shihte kokën e prerë të gjetur të groposur tri ditë më parë.

Në vendngjarje u gjet thika me të cilën ishte prerë

Policia e Qarkut Durrës fare pranë vendit ku është zbuluar koka, e menduar e groposur jo më shumë se 4 muaj më parë, ka gjetur gëzhojën e një çifteje dhe një thikë me bisht prej druri, të ngulur pranë gropës, ndërkohë u konfirmua edhe vrima në kafkë. Ekspertë të kriminalistikës kanë pohuar se nga verifikimet e para, vrima në kokë nuk mund të jetë shkaktuar nga armë gjahu, por nga ndonjë pushkë automatike. Zona e Jubës, si dhe e gjithë sipërfaqja e mbuluar nga pyjet përgjatë Erzenit deri në det, është zonë që shfrytëzohet shumë për gjuetinë dhe kjo ka shtyrë ekspertët të mendojnë se gëzhoja nuk mund të këtë lidhje me armën e krimit. Sipas tyre, ekzekutimi me armë gjahu lë të tjera shenja në trupin e viktimës, duke e zgjeruar atë. Koka e gjetur gjatë përgatitjes së fushimit, për një stërvitje ushtarake nga forcat e ushtrisë, i përket seksit femër, me moshë 30 deri në 40 vjeç. Kafka, bëjnë të ditur burimet policore, është zbuluar në një gropë 40 cm të thellë, 500 m larg bregut të detit në fshatin Jubë, fshat që është rreth 30 km nga Durrësi. Policia ka bërë të ditur se kufoma së cilës nuk i është gjetur trupi, ishte gjysmë e dekompozuar dhe flokët ishin të lidhura nga pas me një fjongo.

Asnjë denoncim për zhdukje femre në policinë e Durrësit

Në policinë e Durrësit është bërë e ditur se nuk ka asnjë kallëzim nga familjarë rreth humbjes së ndonjë femre, për kohën që mendohet se është ekzektuar viktima ende e paidentifikuar. Nga ekspertiza mjeko-ligjore u konkludua se ajo kishte afro një muaj që është vrarë, por gjatë kësaj periudhe nuk është depozituar ndonjë denoncim për zhdukje femre të mohës 30 deri në 40 vjeçe. Burime të policisë, pohojnë se ka shumë të mundur që viktima të mos jetë banore e Qarkut të Durrësit. Megjithatë mësohet të ketë filluar puna operative në fshatrat e qarkut, ku po bashkëpunohet me kryeplakët për zbulimin e ndonjë zhdukjeje të mundshme. Kjo, pasi dyshohet se mund të kemi të bëjmë me një krim brenda familjes, që është mbajtur i fshehtë për një muaj, sqarojnë burimet. Ndërkaq, kanë dështuar edhe kërkimet për gjetjen e trupit që vazhduan për më shumë se tri orë ditën që është zbuluar kufoma dhe janë ndërprerë rreth orës 22.00. Në vendin e ngjarjes, krahas pranisë së shumë forcave nga policia e Durrësit dhe prokuroria e qytetit bregdetar, kanë qenë edhe ekspertë të Ministrisë së Rendit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme. Grupi hetimor nuk ka lejuar që në zonë të afrohen banorët dhe as media, ndërkohë që kërkimet në orët e mbrëmjes janë bërë me mjete ndriçuese. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë vazhduar kërkimet për të gjetur trupin e femrës së masakruar, por ka qenë e pamundur. Forca të shumta kanë kërkuar në një rreze shumë të gjerë, ndërsa thuhet se për të mbledhur prova, ekspertë të policisë gjyqësore kanë pyetur edhe banorë të zonës, kryesisht rreth personave që mund të kenë “frekuentuar” pyllin në muajt e dimrit si dhe fakteve të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›