E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në 4 muajt e fundit, 90 të vetëvrarë në Shqipëri

06/05/2005  Është vërejtur shtimi i vetëvarjeve dhe vetëhelmimeve të moshave të mitura 12-13 vjeç

Vetëm katër muajt e fundit rezulton që në të gjithë vendin të jenë vetëvrarë rreth 90 persona. Kjo shifër shënon një rritje jo të zakontë të vetëvrasjeve në shkallë vendi, krahasuar kjo me vitet e kaluara. Ndërsa, sipas statistikave të INSTAT, vetëvrasjet zënë vendin e tretë në përqindjet e 17 grupeve të vdekjes, pas aksidenteve të të gjitha llojeve e vrasjeve. Ndërkaq, Prokuroria e Përgjithshme ka filluar verifikimin e të gjitha dosjeve të vetëvrasjeve të ndodhura në vend gjatë këtij viti. Kjo, pasi është rritur edhe numri i fëmijëve të vetëvrarë, dhe shumë prej këtyre ngjarjeve kanë mbetur pa shkaqe.

Shifrat

Që nga janari deri në ditët e para të këtij muaji, në të gjithë vendin janë regjistruar afro 90 vetëvrasje. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Ministrisë së Rendit, të cilat sqaruan se është rritur ndjeshëm numri i të vetëvrarëve këtë vit. Ndërkaq mësohet se në katër muajt e parë të këtij viti janë vërejtur vetëvrasje në masë të grupmoshave të fëmijëve 12-13 vjeç. Ky fenomen, i vetëvrasjeve të minorenëve, është jo i zakontë, theksojnë burimet. Kjo, për vetë faktin se mbeten enigmë shkaqet që i shtyjnë këta fëmijë të vetëvriten, përjashtuar ato raste kur ata mund të kenë marrë nota të ulëta në mësime.

Statistikat

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), rezulton se që prej vitit 1999 deri në vitin 2004, numri i vetëvrasjeve në shkallë vendi ka ardhur duke u rritur. Nga burime zyrtare pranë këtij institucioni, mësohet se përqindja më e madhe e të vetëvrarëve i përket grupmoshës 19 deri në 45 vjeç dhe janë kryesisht të seksit mashkull. Sipas këtyre burimeve, ky fenomen që po rritet në përmasa të frikshme, prek edhe grupmoshat e mëdha dhe jo vetëm adoleshentët. Nga të 17 llojet e vdekjeve, rezulton se vetëvrasja zë 10 për qind dhe renditet e treta, sqarojnë burimet. Ndërsa rastet më të shumta të vdekjeve janë aksidentet që zënë 18-20 për qind dhe vrasjet që zenë 13 për qind. Ndërkaq, në muajt e parë të këtij viti është vënë re rritja e numrit të fëmijëve të vetëvrarë, përfundojnë burimet.

Prokuroria e Përgjithshme, verifikim dosjeve të vetëvrasjeve

Prokuroria e Përgjithshme ka tërhequr dje nga Prokuroria e Tiranës të gjitha dosjet hetimore për vetëvrasjet e kohëve të fundit të ndodhura në kryeqytet. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se një shkresë zyrtare të Kryeprokurorit Sollaku ka mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës, për tërheqjen e të gjitha dosjeve të vetëvrasjeve të ndodhura këtë vit. Burimet sqarojnë se të gjitha këto dosje do të verifikohen nga ekspertë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe vëmendja do të përqëndrohet në vetëvrasjet e minorenëve. Kjo, pasi këto çështje mbeten më enigmatiket, përsa i përket shkaqeve që i kanë çuar këta fëmijë në vetëvrasje. Gjithashtu do të verifikohen të gjitha dosjet e vetëvrasjeve të prokurorive të rretheve. Burimet thonë se për verifikimin dhe hetimin e këtyre çështjeve, do të bashkëpunojnë edhe psikologë e specialistë të fushave sociale. Kjo, pasi disa prej të vetëvrarëve, ku bëhet fjalë edhe për fëmijë, kanë qenë frekuentues të sekteve fetare. Burimet theksojnë se në këto çështje do të ketë një hetim të veçantë për të konkluduar nëse ideologjia e këtyre sekteve ka pasur apo jo ndikim në vetëvrasjet. Sipas burimeve të akuzës, kohët e fundit rezulton të jenë shtuar rastet e të vetëvrarëve dhe në të shumtën e tyre mbeten enigmë shkaqet që i kanë shtyrë viktimat të kryejnë një akt të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›