E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano ftesë Ramës për të qenë në qeveri

06/05/2005  PS u kërkon anëtarëve të LSI-së për t'u rikthyer në konkurrimin brenda selisë rozë

Fushata e PS-së në evidentimin e kolapsit të shtetit në vitin 1997

Kryeministri Fatos Nano i ka kërkuar kryebashkiakut Edi Rama të jetë pjesë e qeverisë, në rast se pas zgjedhjeve Partia Socialiste do të jetë forcë qëverisëse. Të njëjtën ftesë, kreu i ekzekutivit i ka drejtuar të gjithë aktorëve, për të marrë pjesë në qeverisjen socialiste. Në ftesë janë ripërfshirë dhe anëtarët e LSI-së, që kanë deklaruar divorcin përfundimtar me selinë rozë. “Ashtu si në vitin 1998, eja të qeverisim së bashku, të ftoj në qeverinë time, të cilën do ta bëjmë më të mirë. Të ftoj të ndajmë gurët dhe dafinat, pasi nuk mund t'u shpëtoni gurëve, duke u larguar nga Fatos Nanua”, i është drejtuar kryesocialisti, Edi Ramës, që tashmë është kthyer në një pikë kyçe të socialistëve.

LSI

Kreu i mazhorancës socialiste, ka kërkuar ribashkim të Lëvizjes Socialiste për Integrim me PS-në. “Ne presim që ata të qetësohen dhe të mos mohojnë shtëpinë e lindjes, prandaj duhet t'ju them sot, në emër të të gjithë socialistëve, mirë se vini të nderuar konkurrentë të rinj”, me këtë fjali Nano i është drejtuar LSI-së dhe elektoratit të saj në këtë prag zgjedhjesh. Lidhur me këtë deklaratë të kreut të PS-së, Meta, i konktaktuar nga “Metropol”, i është përgjigjur me një të qeshur tepër ironike. Ndëra dy ditë më parë, nga Vlora, ai është shprehur se LSI-ja nuk mund të ketë bashkëpunim me një lidership të dështuar dhe përfaqësues të monopoleve. Gjithsesi, Nano e ka cilësuar LSI-në si një dorë të të njëjtit trup, e cila me largimin e saj nga PS-ja ka godituar fytyrën e përbashkët. Për Nanon, të gjitha përgjegjësitë dhe meritat e këtyre tetë vjet qeverisje duhet të mos ndahen mes PS-së aktuale dhe LSI-së, pasi të gjitha janë kryekëput të Partisë Socialiste. LSI-së e njëjta ftesë i është drejtuar nga Edi Rama. Rama, duke i cilësuar pjesë të së majtës, i ka bërë një kërkesë që kjo forcë “të mos bashkëpunojë me doktor KOP-in”. Ndërsa bashkimin ai e ka kërkuar me justifikim se PS-ja ka ndryshuar.

Berisha

Kryeministri Nano i ka kërkuar publikisht kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, që të kërkojë ndjesë publike për të gjitha dëmet dhe krimet e bëra në vitin 1997, të cilat prekën të gjithë shoqërinë shqiptare. Nano nuk ka ngurruar të sulmojë dhe Komitetin e Orientimit të Politikave në PD, duke e cilësuar si “një racë të klonuar, e cila ka rezultuar skarco". Ndërsa është vënë re se fushata e PS-së do të përqëndrohet në të kujtuarin e vitit 1997, duke fajësuar PD-në për piramidat dhe kolapsin e shtetit. Një gjë e tillë është reklamuar gjatë të gjithë Kongresit të PS-së. Në fjalimin e tij, Nano ka komentuar rikthimin e disa prej figurave të politikës PD, që, sipas tij, kanë harruar atë diskriminim që i është bërë nga vetë Berisha. Platformat dhe programet që ofron PD-ja, Nano i ka cilësuar si “kafshatë që nuk kapërdihet dhe të ngel në fyt, duke të zënë frymën. Projektet e paraqitura nga PD-ja me faturat e stisura, janë krejtësisht të pamundura për t'u përballuar në Shqipëri”. Në këtë mënyrë, Nano ka sqaruar se kompensimi i shtresave të përvojtura në vend, si dhe të ish-pronarëve, nuk mund të llogariten duke zhvatuar taksapaguesit shqiptarë, siç parashikon PD-ja, por ky kompensim duhet të shtrihet në kohë, që askush të mos rëndohet nga kjo faturë. Gjithashtu, në fjalimin e tij, Nano ka paraqitur vizionin e PS-së për katër vitet e ardhshme. Vetëm disa minuta para fillimit të fjalimit të kreut të PS-së, delegatë të shumtë, të lodhur nga zgjatja e diskutimeve në Kongres, kanë kërkuar të lënë sallën, ndërsa ka qenë sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, i cili ka bërë përpjekje për t'i rikthyer në sallë për të vazhduar me programin.

Berisha

Lideri demokrat, Sali Berisha, tha dje se kongresi i Partisë Socialiste, është një panair i korrupsionit, që ka përfshirë administratën socialiste. "Është Kongresi i një partie dhe cilatdo qofshin përmasat e saj, është një ngjarje e rëndësishme për vendin. Por, me sa po shoh deri tani, kemi të bëjmë thjesht me panairin e korrupsionit, ku stendat janë sipas të pranishmëve aty në atë paradë", tha Berisha.

Gazetarët

Mediat nuk janë lejuar të ndjekin nga afër punimet e paradites së Kongresit të PS-së.

Në fillim të seancës, gazetarët janë gjendur përballë një situate konfuze, pasi urdhri ishte i prerë dhe ata nuk ishin njoftuar më parë. Kongresi nga mediat është ndjekur nga monitorë të shumtë, që ishin vendour në hollin e Pallatit të Kongreseve

Kryesia

Partia Socialiste pritet të zhvillojë ditën e hënë mbledhjen e Kryesisë, ku do të bëhet bilanci i kongresit të ditës së djeshme. Në Kryesi, gjithashtu do të bëhet një platformim më i detajtuar i punëve që do të ndjekin të gjitha strukturat e partisë në degë, për të vënë në jetë platformën elektorale dhe për të nisur fushatën.

Pjesëmarrësit

Në kongresin e PS kanë marrë pjesë krerët e koalicionit të majtë, të cilëve u janë shtuar dhe Kristo Goxhi dhe Ligoraq Karamelo. Gjatë punimeve ka rënë në sy mungesa e Vangjel Dules, që do të jetë dhe kandidat për deputet përballë Nanos. Në Kongres kanë marrë pjesë dhe ambasadorët e trupit diplomatik.

Konferencat

Gjatë kongresit të PS-së është menduar që personalitete të ndryshme të jepnin konferenca për shtyp. Siparin e ka hapur Erion Braçe, i cili ka dhënë hollësi mbi punimet. Ndërsa rendi i konferencave është mbyllur nga Fatmir Xhafaj, i cili ka dhënë synimet e PS-së mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Zhvillimi

Kongresi i Partisë Socialiste ka nisur në orën 12:30 të drekës, për të përfunduar rreth orës 23 të mbrëmjes. Gjatë punimeve është miratuar platforma Rama si dhe kandidaturat që kjo parti do të ketë për deputetë në zgjedhjet e datës tre korrik. Skenari i Kongresit ka qenë ai i tipit italian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›