Precedentët me municionet, Shqipëria e kthyer në fuçi baruti
Incidentet më të rënda në Burrel dhe Kukës. Municionet, Shqipëria i asgjëson me ndihmën e huaj
Në vitin 1997, një depozitë municionesh në fshatin Selix të Burrelit shkaktoi një nga tragjeditë më të mëdha. Qindra njerëz u turrën për të rrëmbyer armët, ndërsa pakujdesia kushtoi jetë njerëzish. 23 njerëz humbën jetën asokohe ndërsa thuajse e gjithë Shqipëria ishte në flakë. Rreth 11 vite më parë, 23 banorë të fshatit të vogël, kryesisht fëmijë, lanë librat mënjanë dhe u futën në tunelet e municioneve për të siguruar mbijetesën. Mblidhnin gëzhojat e predhave të artilerisë së rëndë, me përmbajtje bronzi dhe bakri. I mblidhin ato dhe i shisnin në tregun e zi që lulëzonte dita-ditës. Muaj më parë, banorë nga fshatra të tjera të zonës së Komsisë u rikthyen në tunelet e Qafë-Shtamës për të rimbledhur gëzhoja nga municionet e mbetura në tunele. Mirëpo një veprim i tillë u kundërshtua fort nga banorët e fshatit, kryesisht të afërmit e viktimave, deputeti i zonës 18, Qemal Minxhozi, si dhe nga media vizive dhe e shkruar, etj. Pak kohë më parë, kryetari i fshatit Selixë, Gëzim Uka, në emër të banorëve të Selixës kërkoi nga policia lokale të ndërhynte me urgjencë për ndaljen e gërmimit në këto tunele. Ai lajmëroi gjithashtu Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi, Idriz Xhomara dhe Ndue Shpani.
Tunelet
Nisur nga alarmi se fëmijët mund të riktheheshin për të mbledhur municione e për t’i shitur për skrap, deputeti i zonës elektorale kërkoi nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme të ndërhynin për bllokimin e tuneleve ku kishin mbetur eshtrat e 23 viktimave të 29 prillit 1997. Menjëherë pas fjalës së deputetit të Matit në Kuvend, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i premtoi atij se do të ndërhynte urgjentisht për ndaljen e gërmimeve në tunele dhe bllokimin e tyre. Familjarët e viktimave vijuan kundërshtimet nëpërmjet mediave. Lik Dishani, njëri nga familjarët e viktimave, tha: “Kjo lloj tregtie është e paligjshme, por që cenon rëndë nderin tonë. Ne nuk dimë ku kemi eshtrat e fëmijëve tanë, ndërkohë policia nuk ndërhyn për të ndalur njerëzit që gërmojnë në tunele, madje duke përdorur tritol për nxjerrjen e municioneve në sipërfaqe”, - është shprehur ai. Mediatizimi i këtij problemi duket se dha dhe efektet e para. Menjëherë u vërejt se trafikantët ndërprenë punën duke shmangur ndonjë konflikt të mundshëm dhe së dyti u ndërgjegjësuan autoritetet e larta shtetërore për të marrë masa për mbylljen e tuneleve. Kryetari i fshatit Selixë, Gëzim Uka, tha për gazetën “Albania”: “Shyqyr Zotit, Ministria e Mbrojtjes e mori në konsideratë shqetësimin tonë dhe dërgoi në fshatin tonë specialistë të xhenios. Ka nisur fillimisht grumbullimi dhe transportimi i municioneve të mbetura. Po ashtu nga kontaktet që kemi patur me të dërguarit e Ministrisë së Mbrojtjes kemi mësuar se këto tunele do të mbyllen përfundimisht. Kjo është një gjë e mirë. Ne nuk donim të dëgjonim më krisma në tunele. Nuk duronim njerëzit që mblidhnin gëzhoja mbi eshtrat e fëmijëve që nuk janë gjetur ende. Fundja kjo ndërhyrje parandalon ndonjë ngjarje tjetër të rëndë”, - është shprehur Uka për “Albania”-n.
Rastet
Dy persona vdiqën dhe 15 të tjerë u plagosën në Kukës katër vite më parë, teksa dy instruktorë të huaj po shpjegonin skemën e çminimit të predhave. Graham Lees, 45 vjeç, si dhe boshnjaku Emin Durakoviç, 40 vjeç, në lidhje me këtë ngjarje nuk dhanë asokohe ndonjë koment. Ata përfaqësonin organizatën franceze Handicap International që merret me çminimin e zonës kufitare mes Kukësit dhe Kosovës. Kjo ishte pjesë e një projekti të Kombeve të Bashkuara për të pastruar minat. Armatimet dhe municionet e vjetra ushtarake vazhdojnë të shkaktojnë viktima në të gjithë Shqipërinë. Një 17-vjeçar nga fshati Shën Mëri i Gramshit ka gjetur vdekjen një vit më parë teksa po çmontonte një predhë tokë-tokë. Një gabim i vogël dhe mbushja e predhës ka shpërthyer duke lënë të vdekur në vend 17-vjeçarin. Hysen Brahimi së bashku me babanë dhe një fqinjin e tyre kishin kohë që ushtronin këtë "profesion" duke zbërthyer predha e duke i shitur më pas për skrap. Babai i tij, Mylazim Brahimi, si dhe fqinji i tyre Ledio Nasufi, për fat të mirë kanë shpëtuar vetëm me dëmtime të shumta në trup, por pa rrezik për jetën. Çmontimi i predhave të vjetra të ushtrisë është kthyer në biznes në fshatin Shën Mëri të Gramshit. Dhjetëra fshatarë kanë kohë që të vetmen mënyrë jetese kanë zbrazjen e predhave të luftës dhe shitjen e pjesëve të tyre për skrap. Rreziku që vjen nga to është shumë i madh, por banorët e zonës duhet të shpien bukën e përditshme në shtëpi. Ata shkojnë çdo ditë në vendin e quajtur Përroi i Brahimasit, ku ndodhet një poligon i miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Atje bëhen shpërthime të municioneve të mbetura nga ushtria. Veç mbetjeve të municioneve ka edhe predha të paplasura me mbushje, por pa djegore. Të gjitha familjet e fshatit marrin pjesë e mbetje predhash, por edhe ato janë ende të mbushura me barut e tritol, i hapin dhe i boshatisin.
17 Mars 2008