E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-BE, gati ndihma për tragjedinë e Gërdecit

Shtete të ndryshme të botës në gatishmëri. Me dhjetëra mesazhe ngushëlluese. Italia, Greqia, Kosova dhe Maqedonia hapin dyert e spitaleve për të plagosurit
Menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit me dhjetëra shtete dhe organizata të ndryshme nga vendet e botës janë treguar të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre. Ndërsa presidenti dhe kryeministri i vendit kanë marrë mesazhe ngushëlluese nga homologët e tyre. Kur nuk kishte kaluar as një orë nga shpërthimet e para, misioni diplomatik amerikan në Tiranë, përmes një njoftimi për shtyp, përcolli gatishmërinë e Uashingtonit për të dhënë ndihmë. “Ambasada e SHBA-ve ka vërejtur e shokuar dhe e shqetësuar raportimet për aksidentin tragjik në depon ushtarake pranë Gërdecit”, - thotë njoftimi. Më pas vijon: “Mendimet dhe zemrat e popullit amerikan janë me ushtarët dhe të tjerët e prekur në këtë incident të tmerrshëm”. Të gatshëm janë treguar edhe selia e Komisionit Europian dhe shumë vende anëtare të BE-së për të dhënë ndihmë.
Zyra e Shtypit e kryeministrit njofton se ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, i ka telefonuar kryeministrit Berisha për t’i përcjellë ngushëllimet e tij dhe të Komisionit Europian për ngjarjen tragjike, si dhe gatishmërinë e Komisionit Europian për të akorduar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen për kapërcimin e pasojave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ambasadori i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, i ka dërguar kryeministrit Berisha një mesazh ngushëllimi. “Në lidhje me ngjarjen tragjike, në emër të OSBE-së, ju lutem pranoni ngushëllimet tona të sinqerta për ju dhe për mbarë popullin shqiptar. Unë dhe ekipi im ju ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë për këtë tragjedi”, - përfundon mesazhi i ambasadorit Bosch.
Një gjë e tillë është deklaruar nga Ambasada Italiane në Tiranë, e cila citon se ministri italian i Mbrojtjes ka shprehur gatishmërinë për të asistuar në procesin e evakuimit të civilëve dhe të të plagosurve. Mbrojtja civile italiane ka nisur në drejtim të Shqipërisë dy aeroplanë me specialistë xhenierë dhe teknik armatimi në një kohë që ka nisur edhe mjekë të specializuar si dhe medikamente në ndihmë të të plagosurve. Qeveria e Romës ka vënë në dispozicion dhe spitale dhe qendra të specializuara për djegiet në Itali, për të pritur çdo rast emergjent për këtë situatë. Mbrëmë vonë mbërriti në Rinas një aeroplani i dytë, i cili ka sjellë mjekë kirurgë, specialistë të mbrojtjes civile dhe rreth 350 qeska me gjak dhe 150 me plazmë, si dhe ilaçe të shumta për të lënduarit. Ndërsa sot pritet të vijë edhe një tjetër avion ushtarak me ndihma ushqimore.
Kryeministri Berisha ka pasur një telefonatë nga ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner, i cili i ka shprehur qeverisë shqiptare të gjithë mbështetjen e simpatinë e qeverisë franceze për vendin tonë, si dhe ngushëllimet dhe solidaritetin e tij dhe të presidentit Sarkozi për qeverinë shqiptare, familjet e viktimave dhe Shqipërinë. Gjithashtu, kryeministri ka pasur një telefonatë nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili shprehu të gjithë mbështetjen dhe keqardhjen e tij të thellë dhe të qytetarëve të Kosovës për këtë ngjarje tragjike dhe solidaritetin e plotë vëllazëror me qeverinë shqiptare, familjet e viktimave dhe gjithë Shqipërinë.
Shërbimi shëndetësor i Kosovës është i gatshëm të dërgojë ekipe mjekësore në Shqipëri dhe të pranojë të plagosurit nga shpërthimet në Gërdec, afër Vorës, dhe të gjitha kapacitetet janë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë. Janë në gatishmëri spitalet e Prishtinës dhe të Gjakovës. Për dërgim të ekipeve në Tiranë apo për sjellje të pacientëve në Kosovë janë vënë në dispozicion katër helikopterë të KFOR-it. “Ndihma e parë ishin këto 300 doza të gjakut dhe 150 doza plazma të ardhura në Tiranë me një helikopter të forcave të NATO-s”, tha Mazllum Belegu, drejtor i Qendrës Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut.
Edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikola Gruevski, i shprehu kryeministri Sali Berisha ngushëllimet më të thella për ngjarjen e Gërdecit, bëri të ditur Zyra e Shtypit pranë Kryeministrisë. Gjatë një bisede telefonike, zoti Gruevski siguroi gatishmërinë e plotë të qeverisë dhe vendit të tij për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë në këto momente të vështira. Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun shqiptar, Lulzim Basha, të cilit i ka shprehur hidhërimin për ngjarjen e rëndë në Gërdec të Vorës. Duke ofruar ndihmën në këtë situatë emergjente, ministrja Bakojanis e informoi z. Basha se "një avion me pajisje mjekësore dhe me njësi gjaku është i gatshëm të niset nga Athina". Gjithashtu, ministrja Bakojanis informoi se "2 spitalet e Janinës janë të gatshme për të pritur pacientët shqiptarë nëse është e nevojshme, si dhe premtoi çdo ndihmë që nevojitet". Mesazhe të shumta nga homologët e saj nga vende të ndryshme të botës dhe diplomatë të akredituar në Tiranë ka marrë edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Box 1

SHBA:
“Mendimet dhe zemrat e popullit amerikan janë me ushtarët dhe të tjerët e prekur në këtë incident të tmerrshëm”

BE:
Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, i përcjellë ngushëllimet kryeministrit Berisha

ITALI
Ministri italian i Mbrojtjes dërgoi dy avionë me medikamente si dhe specialistë. Sot pritet të vijë edhe një tjetër me ndihma ushqimore

KOSOVË
Dërgojnë 300 doza të gjakut dhe 150 doza plazma. Katër helikopterë të NATO-s në operacion. Gati spitalet e Prishtinës e Gjakovës

GREQI
Dora Bakojanis informoi homologun shqiptar se "një avion me pajisje mjekësore dhe me njësi gjaku po niset nga Athina"

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›