E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i predhave në Dhëmblan, dy viktima

Më 6 maj të vitit 2006, një tjetër shpërthim i predhave të vjetra të ushtrisë ka tronditur Jugun e Shqipërisë. Depoja më e madhe e armatimeve të ushtrisë, e vendosur në fshatin Dhëmblan të Tepelenës, ka shpërthyer duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Edhe në këtë rast, ushtarakë dhe banorë të fshatit po punonin për çmontimin e predhave të vjetra. Gabimi i njërit prej ushtarakëve ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë. Fillimisht ushtarakët dhe banorët e zonës kanë çmontuar pjesët përbërëse të predhave dhe kryesisht u kanë hequr atyre fundin dhe kanë ndarë veç barutin e tritolin dhe veç predhën. Në këtë mënyrë, ushtarakët kanë mbledhur një makinë ushtrie me barut si dhe kanë ndarë veç rreth gjashtë tonë me tritol. Shpërthimi i predhës arriti deri te kamioni me barut, i cili ka marrë flakë menjëherë duke shpërthyer. Pas barutit ka shpërthyer edhe sasia e tritolit duke bërë që për 18 orë me radhë të gjitha predhat që ndodheshin aty pranë të hidheshin në erë. Predhat kanë fluturuar deri në gjashtë kilometra larg e më pas kanë rënë si gurë në shtëpitë e banorëve. Për fat të mirë, nuk pati viktima. Rreziku më i madh në këtë rast ishin gjashtë depo me predha, të cilat ndodheshin në mal, shumë pranë vendit të ngjarjes. Në rast se zjarri do të kishte arritur te këto tunele, atëherë e gjithë zona do të ishte rrafshuar.

Dhëmblan, Mediu pranoi paaftësinë e shtetit

Më 8 maj 2006, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi, ka inspektuar nga afër situatën pas shpërthimit në depot e municioneve ushtarake në fshatin Dhëmblan të Tepelenës, ku është takuar me efektivat e Repartit Special të Asgjësimit të Municioneve, që po kryejnë demontimin e armatimeve në këtë grup-depo, si dhe me drejtues të pushtetit vendor e banorë të zonës. Gjatë vizitës së tij, ministri Mediu ka pranuar kushtet e vështira të punës dhe mjetet e kufizuara logjistike në shërbim të ekspertëve të ushtrisë. Ministri Mediu, pasi ka inspektuar nga afër vendin ku shpërthyen tri depot, që shkaktoi vdekjen një ushtaraku dhe plagosjen tre të tjerëve, u takua me efektivat e këtij reparti. Z. Mediu përpara gazetarëve është shprehur se efektivat e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, kanë marrë masa për lokalizimin e predhave dhe municioneve të tjera të rëna jashtë hapësirës së repartit ushtarak. Ai i bëri thirrje komunitetit të zonës, banorëve të fshatrave Dhëmblan dhe Sinanaj që të jenë të kujdesshëm dhe në rastin e gjetjes së armatimit të njoftojnë menjëherë strukturat ushtarake, të cilat tashmë janë prezente në këtë zonë.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›