E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet grabitësi i argjendarisë

Identifikohet autori, i cili plagosi pronarin e argjendarisë pak ditë më parë pranë sheshit "Sulejman Pasha" në Tiranë. Agresori, i cili tentoi të vjedhë argjendarinë, ka rënë pre e kamerave të instaluara në një sallë lojërash fati pranë argjendarisë së goditur, ndërkohë që ende mbetet në kërkim, pasi nuk është bërë i mundur zbulimi i emrit të tij. Burimet policore nga grupi hetimor i këtij rasti bënë të ditur se tashmë është çështje kohe arrestimi i autorit të plagosjes së Dashamir Lekës. Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve okularë, policia ka zbuluar se pranë vendit të ngjarjes ndodhej edhe një kamera sigurie. Menjëherë, policia ka kërkuar kasetën regjistruese, ku është vënë re se pamjet kishin fiksuar me pistoletë në dorë grabitësin e argjendarisë. Me të marrë këto pamje, policia ka stampuar edhe një foto të këtij personi, por ende nuk ka mundur të zbulojë emrin e tij. Sipas policisë, ende nuk dihet emri i këtij personi, por fotoja e tij tashmë është në duart e uniformave blu. Kjo foto i është shpërndarë edhe forcave të rendit, të cilat janë porositur për kapjen e tij, ndërkohë që konsiderohet edhe si person me rrezikshmëri. Sipas të dhënave të mbledhura, ky person dyshohet se banon në zonën ku u krye edhe grabitja. Ngjarja në fjalë ndodhi më datë 3 të këtij muaji, ku personi i armatosur tentoi të vidhte argjendarinë dhe plagosi pronarin e saj, Dashamir Leka. Ky i fundit mori plagë me armë zjarri në trup, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas kësaj ngjarjeje, autori u largua me shpejtësi, duke u fshehur edhe nëpër rrugicat e asaj zone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›