Vrasësi i plakut Bollano, i sëmurë mendor
Autori i vrasjes së 74-vjeçarit Pirro Bollano në Himarë është i sëmurë mendor. Prokuroria e Vlorës, që ka marrë dje në pyetje 24-vjeçarin nga Lushnja, ka dalë paraprakisht në këtë konkluzionin, ndërkohë që pritet një ekspertizë mjeko-ligjore për ta saktësuar këtë. Bledi Xhaferri është shoqëruar të martën në ambientet e paraburgimit të Policisë së Vlorës. Ai nuk ka dashur të komunikojë me oficerët e policisë gjyqësore dhe me prokurorët. Sipas burimeve nga prokuroria, 24-vjeçari ka pranuar se e ka kryer krimin, por nuk ka folur më tepër, duke mos dhënë asnjë arsye për këtë vrasje makabre. Sipas banorëve të Himarës që e panë ngjarjen, 24-vjeçari kishte qenë duke djegur gurë gëlqereje në tokën e plakut Pirro Bollano vetëm pak kohë para kryerjes së krimit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, i riu do të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit për veprën penale të vrasjes. Prokuroria e Vlorës nuk e përjashton mundësinë e izolimit të 24-vjeçarit në një spital psikiatrik, ndaj edhe ka kërkuar një ekzaminim nga specialistët për të përcaktuar përgjegjshmërinë e tij dhe aftësinë për të vepruar. Deri sa ekspertët të përcaktojnë këtë, Xhaferri do të qëndrojë në paraburgim.