E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet i dyshuari për atentatin te Prokuroria

Një person është identifikuar nga policia si i dyshuar për atentatin ndaj një personi përballë Prokurorisë së Tiranës, ditën e parë të këtij viti. Bëhet fjalë për plagosjen me dashje të Haxhi Pashkajt, i cili u sulmua me thikë në ambientet e një taverne. Megjithatë, i dyshuari i policisë, që dje është marrë në pyetje, nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, ndërkohë që grupi i punës tha se e ka person nën hetim. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit ka bërë të mundur kapjen e të dyshuarit të kësaj vepre penale, Flamur Doda, 26 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Bathore. Sipas policisë, kapja e tij u mundësua dje paraditen, rreth orës 11:00, teksa ai po lëvizte në Laprakë. Në këto kushte, ai u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe u mor në pyetje në lidhje me një plagosje. Por ai nuk ka pranuar asnjë dyshim të policisë dhe për mungesë provash, policia e ka lënë sërish të lirë, duke e mbajtur person nën hetim. Sipas policisë, më datë 1 janar të këtij viti, rreth orës 5:00, përballë Prokurorisë së Rrethit, në ambientet e tavernës "Miki", është plagosur me mjet të mprehta Haxhi Pashkaj, 27 vjeç, banues në Kamzë. I dëmtuari nuk dihet nëse e ka njohur apo jo agresorin, i cili e plagosi, teksa festonte ndërrimin e viteve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›