Terrorizoi klientët e një lokali, kapet
Ka terrorizuar klientët e një lokali dhe stafin e tij, por ka përfunduar në prangat e policisë. Protagonisti i kësaj ngjarjeje është Andi Rajta, 28 vjeç, i cili është arrestuar nga policia edhe nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Sipas informacioneve, ai kishte shkuar në një lokal dhe pasi ka konsumuar pak alkool ka filluar të bëjë presion mbi të pranishmit. Më pas ka thyer lavamanin dhe disa objekte të tjera, e kur ka ardhur policia, ka tentuar të fshehë pistoletën, të cilën e mbante në brez. Burimet e Policisë së Tiranës bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 3 u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Andi Bardhok Rajta, 28 vjeç, lindur dhe banues në Dibër, i dënuar më parë për prerje të paligjshme të pyjeve. Arrestimi i tij u bë pasi akuzohet se në orën 22:00, te sheshi "Rilindja", te një lokal bar-kafe, në pronësi të një shtetaseje, ka fshehur në tualetin e lokalit një armë zjarri pistoletë model 54 dhe një krehër me 7 fishekë. Ky shtetas akuzohet se ka thyer plotësisht lavamanin e tualetit dhe xhamin e derës hyrëse të tualetit të lokalit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe një krehër me 7 fishekë pistolete. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprat penale të "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake" dhe "shkatërrimit të pronës".