E Diel, 1 Nëntor 2026

Identiteti i humbur i mediave tona!

Sa i dëshpëruar do të ndihet Kadare kur shikon mënyrën se si Maks Velo i bën avokaturën. E imagjinoj shkrimtarin gjuetar identitetesh, që shfryn nga inati, se pse një personazh si ai, i denjë për të zëvendësuar ushtarin e mirë Zhvejk, papritmas ua nxori sekretin në një mënyrë shumë diletanteske. Tollovia identitare e inicuar nga Kadare dhe nga shpura e tij nuk na qënka tjetër vetëm se racizëm dhe islam-kosovarofobi e plastifikuar me gjuhë gjoja akademike dhe si kornizë patetizmin. Nuk do të kishte kuptim më të mirë kotësia, sesa marrjen në analizë apo komentimin e "prodhimeve"të Maks Velos. Të paktë janë ata që kur lexojnë shkrimet e tij nuk shprehin ndjenjë mëshire për të. Ajo që më tepër ne duhet të merremi është hapësira mediatike e cila lejon që Don Kishotë të tillë të ulen në "minderin" e tabloidëve shqiptarë këmbëkryq duke imponuar harbutëri të kësaj natyre:
"Konkluzioni im është: me Kosovën dhe kosovarët duhet të jemi shumë më të kujdesshëm. Po të zhvillohej një referendum për bashkimin me Kosovën, unë do të votoja kundër. Janë akoma primitivë dhe do të na hapin probleme pa fund; le të rrinë të rregullohen vetë njëherë. Mbas pavarësisë, nuk do të dinë ē'të bëjnë me të. Ka mundësi të bëjnë nja dhjetë "REVOLUCIONE DEMOKRATIKE TË VONUARA"ala Qose, si ai i joni i 97-ës. Janë qaramanë dhe duan gjithmonë që të projektojnë fajet që i bëjnë tek të tjerët. Mos fajtorët e ardhshëm janë shqiptarët? Mjerë ata popuj që kanë të tillë "udhërrëfyes"si Qosja, tipikë për vendet islamike dhe të botës së tretë. Fatkeqësisht mediat shqiptare të ardhura në jetë nga një seri faktorësh që përbëjnë në përgjithësi një turli midis influencave politiko-ekonomike, informalitetit intelektual, nacionalist dhe ekonomik, skepticizmit dhe jotradicionalizmit, opurtunizmit dhe klientelizmit, jargavitjes dhe mëvarësisë, kanë demonstruar jo rrallë që kanë qenë të fundit në konservimin, zhvillimin dhe përforcimin e vlerave tona kombëtare më të mira si tipar kryesor i identitetit shqiptar. Tolerimi ideve dhe tezave të tilla në pjesën më të madhe të shtypit shqiptar është paradoksal nëse ne e paralelizojmë me intolerancën që po ky shtyp shfaqi ndaj reagimeve të intelektualëve apo grupimeve muslimane. Ishte kjo media që u turr me tërbim ndaj reagimeve më se të natyrshme të banorëve muslimanëve nga Shkodra për mos vendosjen e bustit të Nënë Terezës në hyrje të këtij qyteti, që në vetëvehte përbën aktin më normal të përzgjedhjes së lirë në një demokraci, apo reagimit të tyre për kantonizimin e tokave shtetërore duke vendosur kryqe të mëdhenj në majat e kodrave.
Mitizimi i personave të caktuar, përfshirë këtu edhe Kadarenë, imuniteti mediatik që u jepet atyre nga disa media duke i kthyer në figura te paprekshme burim herezie për ēdo opinion kundra, janë shenjë e shmangies së një pjese të mirë të medias shqiptare nga boshti i ekuilibrit demokratik, i fjalës së lirë dhe mbi të gjitha i konservimit të vlerave kombëtare. Duke parë pozicionime të tilla që po ndodhin në mediat tona, në këtë identiteto-mani natyrshëm na lind pyetja : Cili është identiteti i mediave shqiptare ? Nëse e kanë ateherë kë përfaqëson ky identitet ? Nuk janë të rralla rastet kur mediat shqiptare në një garë marketingu kontribuojnë në nxirjen e panoramës shqiptare. Hapësira të tilla në media qe u vihen në dispozicion ideve dhe tezave qe bien ndesh me interesat kombëtare, jo vetëm që sjellin dyshime mbi identitetin e medias sonë por edhe na përforcojnë mendimin se ato qëndrojne larg parimeve të asnjanësisë dhe objektivitetit, të cilat me shumë pompozitet i reklamojnë. Shëmbulli i artikullit të fundit të M.Velos, fatkeqësisht vërteton këtë.
Identiteti i shqiptarëve duhet të ketë qenë dhe vazhdon të jetë një kompleks midis vlerave me pozitive ngërthyer me traditën morale dhe ëmbëlsinë e mikëpritjes, përderisa gjithmonë ka qenë shënjestra kryesore në shekuj e fqinjëve tanë por jo vetëm e tyre, për të marrë feta nga kjo "tortë"e lakmueshme. "Qoseizimi ose teoria e urrejtjes"artikull i Maks Velos botuar ne "Shekulli"do të ishte thjesht nje shkrim i një personi të caktuar deri në momentin kur ai mori "bekimin"e një gazete që renditet ndër më të mëdhatë në Shqipëri. Me këtë veprim dashur pa dashur firmoset ajo që ne shpesh e kemi përmendur si frika e kthimit te islamofobisë dalëngadalë në një kulturë kombëtare, duke shkelur kështu disa kufinj etikë që shkojnë më tej deri në kundërshtim me interesat tona kombëtare. Renia e këtyre kufinjëve fatëkeqësisht do të shënonte edhe shpërbërjen e identitetit tonë dhe humbjen e ëmbëlsisë së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›