Atentat në makinë, 35-vjeçari plagoset me katër plumba
Atentat brenda në makinë një të riu në Tiranë, i cili u qëllua me katër plumba. Nga të shtënat, Spartak Canaj, 35 vjeç, është plagosur rëndë dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur pranë shkollës “Vasil Shanto”, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë stacionit të autobusit që bën linjën e Tiranës së Re. Pikërisht në krah të shkollës, i riu kishte parkuar mjetin e tij “Fiat Punto”, ngjyrë jeshil me targa të huaja AH 9964 DZ. Rreth orës 20:20, ai ka qenë duke hipur në mjetin e tij, kur persona të paidentifikuar, e kanë qëlluar me pistoletë. Nga përpara makinës, sapo ai kishte hipur është qëlluar katër herë, duke e lënë të plagosur rëndë. Sipas hetimeve, autorët kanë synuar eliminimin e tij, duke parë edhe lartësinë e plumbave, pasi është tentuar të qëllohet në kokë. Menjëherë, ata janë larguar nga vendngjarja, ku mendohet se kanë shfrytëzuar rrugicat përbri një hoteli të njohur që ndodhet në atë zonë. Policia është njoftuar nga kalimtarët që kanë parë skenën e krimit dhe ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke dërguar të plagosurin për në Spitalin Ushtarak. Mjekët thanë se gjendja e tij shëndetësore është tejet e rëndë, pasi ka marrë dy plumba. Një prej plumbave e ka marrë në shpatull dhe një në qafë. Nga ana tjetër ka nisur zbardhja e ngjarjes, që mendohet se ka ardhur për shkak të një konflikti. Sipas dëshmitarëve, mendohet se në makinë ka pasur një femër, por që është larguar pas krismave. Ndërkaq, dëshmitarët kanë treguar se Camaj, që rezulton të jetë dënuar edhe më parë për grabitje me armë, është qëlluar nga një person i vetëm, për të cilin ka dyshime konkrete mbi identifikimin dhe po punohet për kapjen e tij.
#