E Diel, 1 Nëntor 2026

Ideologjia nuk është tualet!

Blendi Kajsiu 

Shqipëria sot është një demokraci ku pluralizmi politik po humbet kuptim si pasojë e monizmit ideor. Pikërisht
këtu bëhet i rëndësishëm diskutimi mbi ideologjizimin e të majtës. Ai premton krijimin e një alternative që i jep mundësinë elektoratit të zgjedhë. “Po pse duhet një alternativë e majtë?”, mund të shtrohet pyetja, kur ne nuk kemi një alternativë të djathtë?  Gabim! Shqipëria ka njëzet vjet që qeveriset djathtas dhe jo vetëm djathtas, por sipas një modeli të djathtë neoliberal, ku shteti i vogël dhe i tërhequr nuk ndërhyn as me masa proteksioniste dhe as për të ndihmuar apo programuar zhvillimin e kapitalit lokal dhe aq më pak zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Në thelb të këtij modeli qëndron vetëm tregu dhe integrimi në tregun global si motor zhvillimi. Është një qeverisje thellësisht e djathtë që i ka lënë individët zbuluar përballë forcave të tregut duke shkaktuar pabarazi të thella sociale dhe gjeografike që për pasojë kanë prodhuar edhe dyndjen në zonat suburbane. Për të përballuar pasojat e një qeverisje të tillë qeveritë tona janë detyruar shpesh të ndërmarrin politika të majta, si p.sh., legalizimi i zonave suburbane.  Ndonjëherë janë detyruar të dënojnë edhe pabarazinë në rritje me deklarata populiste kundër vaskave të floririt. Ama këto kanë qenë arnime të majta të pasojave të një programi thellësisht të djathtë.  Prandaj ndonjë deklaratë apo politikë e majtë e Berishës aty këtu, nuk duhet të na çorientojë duke konkluduar se në Shqipëri nuk ekziston ideologjia e djathtë. E djathta neoliberale në Shqipëri është shëndoshë e mirë, asaj i duhet ndonjëherë të lëvizë majtas sa për të korrigjuar emergjencat që po vetë i prodhon.  
Vetë fakti që ne ende nuk arrijmë të kuptojmë se qeverisemi nga një ideologji thellësisht e djathtë dhe neoliberale është një ilustrim më shumë se rrënjët e saj janë aq të thella saqë ne as nuk i shohim më dot.  Aq e vërtetë është kjo saqë edhe diskutimi mbi ideologjizimin e të majtës po bëhet shpesh nga pozicione neoliberale që partitë politike i shohin thjesht si grupime që si interes të vetëm kanë pushtetin. Kështu gjithnjë e më shumë pyetja që po shtrohet nuk është ’A duhet apo jo të ideologjizohet e majta?’, por ’A i leverdis apo jo PS-së të ideologjizohet për të ardhur në pushtet?’. Ky parashtrim e shikon ideologjinë nga një pozicion tipik neoliberal si instrument për të marrë pushtetin dhe jo si një sistem idesh dhe vlerash që formësojnë dhe frymëzojnë aksionin politik. Të krijohet përshtypja se ideologjia është thjesht makiazh, një tualet që PS-ja e bën për të nusëruar më mirë në sytë e elektoratit. Ky instrumentalizim i ideologjisë dhe reduktim i saj në një vegël, që shërben për të marrë pushtetin është tipik për qasjen neoliberale sipas së cilës, motivi bazë i çdo partie është marrja ose mbajtja e pushtetit si qëllim në vetvete, gjithçka tjetër bëhet në funksion të këtij qëllimi. Në këtë pikë neoliberalizmi ka përqafuar fort pikëpamjen marksiste, që e shikon ideologjinë thjesht si një vello që fsheh interesat e borgjezisë.
Këtu kemi të bëjmë me një paradoks që rrezikon ta vdesë diskutimin mbi ideologjizimin e të majtës duke e zhvilluar atë brenda parametrave të ideologjisë dominuese, që gjithçka e shpjegon vetëm duke iu referuar interesit individual apo grupor. Brenda këtyre parametrave pyetja: “A i leverdis PS-së të ideologjizohet apo jo?” natyrisht që do marrë në përgjigje negative: Jo dhe jo. Kjo për faktin e thjeshtë sepse sot politika shqiptare është tejet pragmatiste, idetë neoliberale janë rrënjosur mjaft thellë; të gjithë e pranojnë superioritetin e tregut ndaj shtetit, të gjithë e pranojnë paaftësinë e shtetit për të bërë diçka të hairit, të gjitha fajet i vishen shtetit, të gjithë janë të bindur se në thelb të shoqërisë është individi me interesin e tij personal, të gjithë bien dakord se tregtia e lirë si pjesë e integrimit në BE nuk ka kthim prapa dhe se modeli aktual i zhvillimit që ofron Banka Botërore dhe FMN me bekimin edhe të BE duhen ndjekur nga Shqipëria si e vetmja alternativa e mundshme në këtë botë, dhe ndoshta edhe përtej. Në këto kushte PS-së i leverdis një politikë pragmatiste, ’përtej të majtës dhe të djathtës’ që për kushtet tona do të thotë një politikë e djathtë neoliberale që ruan status kuonë. Në vend që të sforcohet duke luftuar hegjemoninë dominuese neoliberale PS mjafton të presë sa të degjenerojë pushteti aktual, dhe të votohet nga shqiptarët për inat të tij. Pyetja “A i leverdis PS-së të ideologjizohet apo jo?’ e pranon kuadrin aktual të politikës shqiptare dhe për pasojë jep një përgjigje brenda këtij kuadri, pa e kontestuar atë. Kemi të bëjmë me një pseudo-diskutim, që e ka të paracaktuar konkluzionin si pasojë e parametrave brenda të cilit zhvillohet.
Ndryshon puna nëse pyetja shtrohet: “A duhet të ideologjizohet PS-ja apo jo?’, duke e shtruar jo thjesht nga këndvështrimi i ngushtë i PS-së aktuale, por nga interesi më i gjerë i shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Nga ky këndvështrim mund të themi me plot gojë se PS-ja duhet të ideologjizohet. Së pari, sepse ideologjizimi i të majtës duhet për të krijuar zgjedhje në skenën tonë politike, pra për t’i dhënë kuptim demokracisë, pavarësisht nëse kjo sjell në pushtet të majtën apo të djathtën. Së dyti, ideologjizim i të majtës do të thotë ofrimi i një modeli alternativ zhvillimi, që pretendon të jetë superior ndaj modelit aktual neoliberal. Në këtë rast modeli aktual neoliberal nuk merret si i dhënë, nuk pranohet si fati ynë i pashmangshëm historik, siç ndodhi me komunizmin dje. Përkundrazi ai shikohet si një alternativë inferiore ndaj një modeli të majtë zhvillimor, që do theksonte shtetin zhvillimor (developmental state) dhe jo thjesht tregun si burim zhvillimi, që do kërkonte më shumë barazi gjeografike dhe sociale, më shumë mbështetje të prodhimit vendas duke e zhvendosur ekonominë tonë nga tregtia drejt prodhimit.  Një model i majtë zhvillimor mund të kërkonte edhe një rikonceptim të pozicionit të Shqipërisë në ekonominë globale, p.sh., duke shtruar pyetje themelore të tipit; a është më mirë që të integrohemi më parë në tregun e përbashkët evropian apo na intereson më shumë krijimi fillimisht i një tregu të përbashkët shqiptar? Me fjalë të tjera një alternativë vërtetë e majtë do duhej patjetër të ndryshonte në mënyrë thelbësore ndaj alternativës aktuale zhvillimore duke vënë në pikëpyetje disa nga premisat e sajë bazë për zhvillimin ekonomiko-social të vendit siç është ideja neokoloniale se zhvillimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga jashtë. Diçka e tillë jo vetëm mund të na jepte një model më mirë zhvillimi se ky që kemi (zgjedhja për këtë do ishte e elektoratit) por do e përmirësonte cilësinë e betejës politike në vetvete. Ardhja në pushtet e të majtës nuk do ishte një betejë për të maksimizuar pushtetin e saj politik pa prekur kontekstin brenda të cilit ai ushtrohet, por do merrte kuptim si një akt që synon realizimin e një projekti transformues. Në kushte të tilla ardhja në pushtet e opozitës apo mbajta e pushtetit nga pozita nuk do reduktoheshin në qëllime në vetvete, siç ndodh sot kur pushteti është kthyer në legjitimuesin e vetëm të pushtetit. 
Ama që të ndodhë diçka e tillë duhet që së pari debati rreth ideologjizimit të së majtës të largohet nga pozicioni neoliberal, që e shikon ideologjinë si tualet që bëhet thjesht për të ardhur në pushtet. Ideologjia nuk është një xhaketë që vishet dhe zhvishet sipas nevojave të momentit dhe që mund ta porosisësh tek Obama në Amerikë, Tony Blair në Angli apo Sarkozy në Francë; ky është degjenerimi i ideologjisë në parulla. Ideologjia ka efekte imediate, reale dhe materiale për zhvillimin dhe jetën tonë. Prandaj diskutimi mbi ideologjinë nuk është një masturbim intelektual, që bëhet thjesht për kënaqësi teorike tërësisht i shkëputur nga realiteti. Debati mbi ideologjizimin e të majtës është një debat për t’i dhënë përgjigje pyetjeve madhore që sot as nuk shtrohen për diskutim; Si do zhvillohet ekonomia shqiptare në 20 vitet e ardhshme? Me çfarë prodhimi do konkurrojmë në tregun global ku po integrohemi? Si do ulet pabarazia sociale dhe gjeografike? Si do zhvillohet dhe financohet sistemi ynë arsimor? Kur do bëhet Shqipëria vend i zhvilluar? Kushdo që mendon se çështje kaq madhore mund të zgjidhen thjesht me disa reforma teknike apo administrative gënjen veten dhe të tjerët. Asnjë reformë themelore nuk mund të ketë sukses dhe mbështetje jashtë një kuadri ideologjik që e bën atë të pranueshëm politikisht. Asnjë model zhvillimi nuk është thjesht teknik pasi ai presupozon një rol dhe marrëdhënie të caktuar mes shtetit, individit, ekonomisë dhe shoqërisë. Dhe ky është thelbi i ideologjisë.  
Ndaj duhet kuptuar se diskutimi për ideologjizimin e të majtës nuk është një përpjekje për të zbuluar parullat që Edi Rama mund të përdorë nesër përballë Berishës në mënyrë që të vijë në pushtet.  ’Përtej të majtës dhe të djathtës’ është një parullë boll e mirë që mund ta sjellë Ramën në pushtet teksa qeverisja Berisha-Meta degradon.  Por kjo ka pak interes për ne si qytetarë, pasi në kushtet aktuale Rama nesër në pushtet nuk do jetë shumë ndryshe nga Berisha sot, as PS-ja nga PD-ja.  Diskutimi mbi ideologjizimin e të majtës duhet të jetë një përpjekje teorike dhe praktike për të prodhuar një model alternativ zhvillimi politik, social dhe ekonomik përballë këtij që kemi sot.  Për vetë kushtet ku ndodhet Shqipëria diçka e tillë mund të fillojë duke rimenduar të majtën, çka padyshim do nxisë edhe një rikonceptim të së djathtës. Por kujdes, nuk bëhet fjalë për t’i bërë tualetin ideologjik të majtës dhe të djathtës që të rrijë në pushtet Berisha, apo që të vijë në pushtet Rama. Bëhet fjalë për rikonceptimin e të majtës dhe të djathtës në mënyrë që në Shqipëri të rrinë dhe të vijnë shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›