E Diel, 1 Nëntor 2026

Recesioni prek industrinë e Evropës dhe të Kinës

Aktiviteti industrial në Evropë dhe Kinë ka rënë gjatë nëntorit, autoritetet japoneze bënë me dije se ekonomia e tyre po ulte pak nga pak ritmet, ndërkohë që ministrat e Financës së Eurozonës u takuan të hënën për të studiuar masat që duhen marrë për të ndalur recensionin.

Banka Japoneze bëri me dije zhvillimin e një mbledhjeje urgjente paraditen e sotme për të debatuar rrugët që duhen ndjekur për të ndihmuar korporatat financiare. Guvernatori i Bankës së Japonisë, Masaki Shirakava, vërejti se fondet e disponueshme po pakësohen me ritme të shpejta për firmat japoneze, me një shtrirje të krahasueshme me një krizë të rëndë krediti të shënuar në këtë vend para dhjetë vjetësh.

Aktiviteti produktiv në Eurozonë ra në nivele rekord gjatë muajit nëntor, ndërkohë që parashikimet për periudhën në vazhdim janë po kaq të zymta. Eurozona është deklaruar zyrtarisht në stad recesioni gjatë këtij muaji. Analistët nuk shohin shenja se do vërehen rritje ekonomike deri në tremujorin fundit të vitit të ardhshëm - dhe atëherë në shifra minimale.

Kriza financiare që nisi vitin e shkuar prej tregut të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë ka zhytur disa prej ekonomive të mëdha botërore në recesion, përfshi këtu edhe vendet e Eurozonës. Të dhëna të ngjashme nga Kina treguan se industria e manifakturimit të këtij vendi shënoi rënie gjatë nëntorit, duke treguar se ekonomia e katërt në rang global po thithet në vorbullën botërore.

Bankat qendrore të Britanisë, Eurozonës, Australisë dhe Zelandës së Re pritet të ulin normat e interesave për t‘u bërë ballë problemeve financiare. Edhe politika e këtyre vendeve pritet të aktivizohet fort në këtë kuadër.

Ministrat e Financës së Eurozonës u takuan mbrëmjen e djeshme për të diskutuar rreth një pakete masash të projektuar nga Komisioni Evropian, e cila parashikon injektimin e 200 milionë eurove në dispozicion të qeverive (megjithëse në këtë shifër përfshihen skema kombëtare të deklaruara prej ditësh).

Por marrëveshjet mund të mos rezultojnë përfundimtare. Kancelarja gjermane tha në një takim të partisë së saj se qeveria gjermane, që deri tani ka bërë publik një plan ndihme prej 32 miliardë dollarësh, nuk ka ndër mend të bëhet pjesë e një "gare" të pakuptimtë për të shpenzuar më shumë miliarda.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e kritikoi qëndrimin e pavendosur të Kancelares gjermane duke vërejtur: "Ndërsa Franca punon, Gjermania rri e mendohet".

Inflacioni në Tailandë, Korenë e Jugut e në Australi u rrit ndjeshëm në përpjesëtim me tkurrjen e ekonomisë globale, duke detyruar bankat qendrore të ulin normat e interesave të kredidhënies për t‘i bërë ballë krizës më të rëndë financiare që nga vitet tridhjetë.

Edhe në Britaninë e Madhe po lexohen shenja për ulje normash interesi duke qenë se edhe këtu niveli i prodhimit është mpakur me ritme rekord përgjatë gjithë muajit nëntor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›