E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Argumentet e Topallit, absurde

Rregullorja

Deputeti Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, i është përgjigjur kryeparlamentares Topalli, e cila ka bërë të ditur dy ditë më parë se ka zëvendësuar deputetin Shpëtim Idrizi me Gramoz Ruçin në Këshillin e Rregullores së Kuvendit, pasi, sipas Topallit, z. Idrizi ka bërë mungesa në Kuvend. Në një prononcim për “Shqip”, deputeti Shpëtim Idrizi ka deklaruar se “nuk kam pasur dijeni që jam anëtar i Komisionit të Rregullores dhe Mandateve, e aq më pak si përfaqësues i opozitës, që më duket absurde nëse është e vërtetë. Anëtarët e komisioneve parlamentare miratohen në seancë gjë që nuk ka ndodhur. Po e besoj si lapsus faktin që më paskan hequr për 2 mungesa pa arsye?!! Pa e ditur që jam anëtar. Besoj se Parlamenti nuk i ngjan një shkolle që mua të më duket vetja nxënësi plëngprishës që e heqin nga shkolla për mungesa... Më vjen keq që përdoret emri im për budallallëqe të tilla...”. Këshilli i Rregullores është përfshirë në debate të ashpra edhe gjatë ditës së djeshme, ku opozita ka kundërshtuar ndryshimin e rregullores së Parlamentit, duke e quajtur si shkelje të dokumentit thelbësor të Kuvendit. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, ka akuzuar kryeparlamentaren Topalli se po prek thelbin e rregullores, duke rrëzuar votimin e fshehtë për personat, që është një parim i sanksionuar në ligjin që përcakton punën e Kuvendit. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme nuk është arritur në një qëndrim për propozimin e mazhorancës që të ndryshohen 2 nene të rregullores, të cilat konsistojnë në votimin e hapur për dekretet e Presidentit dhe shtyrjen në një periudhë deri 8-javorë të seancave dëgjimore për anëtarët e institucioneve të larta kushtetuese. Ngaqë nuk është arritur në një qëndrim konsensual, është shtyrë diskutimi për ditën e hënë, ku Këshilli i Rregullores do të diskutojë në lidhje me përvojat e parlamenteve europiane për dekretet e emërimit të krerëve të institucioneve të pavarura.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›