LSI: PS të lërë bojkotin, maxhoranca të reflektojë
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Progres-raporti i Brukselit duhet lexuar me përgjegjshmëri për të reflektuar mbi të pa humbur kohë, në mënyrë që Shqipëria të mos humbë një mundësi tjetër sa i përket Integrimit.
“Kjo do të thotë që Raporti i Brukselit duhet lexuar me shumë përgjegjshmëri. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndaj tij duhet reflektuar menjëherë dhe pa humbur kohë jo me retorikë dhe as me luftë politike, por me përgjegjshmërinë që meriton sjellja politike europiane edhe e forcave politike në vend”, - nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim fton opozitën të heqë dorë nga politika e bojkotit, ndërkohë që pranon se “natyrisht që këtu ka vend për të reflektuar edhe mazhoranca”. “Duhet energji pozitive dhe të heqim dorë përfundimisht nga politika e bojkotit, nga politika e bllokimit. Prandaj edhe një herë, Lëvizja Socialiste për Integrim i fton të gjithë të lënë mënjanë interesat parciale, personale apo partiake dhe të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë që kërkojnë interesat e vendit”, - theksoi Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.