E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi bën thirrje për bashkim me Muhedinin

09/11/2009  Partitë çame

Kryetari i partisë “Drejtësi dhe Unitet”, Shpërtim Idrizi, kërkon bashkimin e të gjithë komunitetit çam në një forcë të vetme politike. Gjatë një takimi me komunitetin çam në Delvinë, Idrizi ka vënë theksin në bashkimin e partisë “Drejtësi dhe Integrim”, që drejtohet nga Tahir Muhedini, me PDU-në. “Nga kjo tribunë i bëj thirrje publike Tahir Muhedinit që të bashkohemi. Ato që na ndajnë janë shumë të vogla përpara një ideali të madh: amanetit të të parëve, që ne duhet të na bashkojë. Unë jam i bindur se ai do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje dhe shumë shpejt do të jemi të gjithë bashkë”, - ka deklaruar Idrizi. Kjo thirrje i drejtohet kryetarit të partisë që u votua drejtpërdrejt nga komuniteti çam dhe që mundi të fitojë një mandat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, atë të Dashamir Tahirit. PDI-ja e Muhedinit në zgjedhjet e 28 qershorit ishte pjesë e koalicionit të partive të djathta politike që drejtohej nga Partia Demokratike, ndërkohë që Shpëtim Idrizi fitoi mandatin e deputetit duke përfaqësuar Partinë Socialiste. Megjithatë, duke marrë në konsideratë se komuniteti çam është mbështetës i dy forcave politike: PDI-së dhe PDU-së, bashkimi duket se është shumë i mundshëm. Thirrja për bashkim nuk përbën një risi. Rreth muajit gusht të këtij viti ishte Tahir Muhedini i PDI-së që kërkoi përfshirjen e Idrizit në partinë e tij dhe deklaroi se kishin nisur negociatat. Muhedini tha atëherë se afrimi i Idrizit mund të realizohej për shkak të origjinës çame të tij dhe faktit se për çështjen çamre ai është shprehur shpesh në Kuvend. Por vetë Shpëtim Idrizi, asokohe deputet i PS-së, hodhi poshtë çdo mundësi për të kaluar te PDI-ja. Ai deklaroi se vazhdonte të mbështeste dhe të mbronte çështjen çame në Parlament duke qenë pjesë e strukturave dhe grupit parlamentar të PS-së. Por vetëm pas pak kohësh ai bashkë me deputetin Tahiri themeloi PDU-në dhe tani kërkon bashkimin me PDI-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›