E Shtunë, 31 Tetor 2026

Igli Toska merr anëtarësinë në KPD

11/11/2004  Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste do të pësojë ndryshime në përbërje. Kryesia e PS-së vendosi dje, të përdorë formulën e kooptimit, për të futur pesë emrat rinj në KPD. Burimet thanë se do të jenë 5 emra të njohur në arenën publike, që do të kenë të drejtën e angazhimit në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues. Një veprim i tillë është i lejueshëm dhe nga statuti i socialistëve. Duke u nisur nga kontributet e dhëna, ministri aktuali i Rendit Publik, Igli Toska, deputeti Ardit Kaja, Qazim Sejdini, Edlira Haxhiymeri dhe ish-ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Valentina Leskaj, priten të jenë anëtarët më të rinj të KPD-së. Pesë emrat janë përzgjedhur mes radhëve të shoqërisë civile, për t'u afruar kështu në forumet më të larta drejtuese të kësaj partie. Emrat do të votohen nesër në mbledhjen e KPD-së. Gjithashtu në këtë mbledhje do të votohet dhe emri i zëdhënësit politik të PS-së, Gjergj Koja, i cili është propozuar dy ditë më parë nga Fatos Nano. Surpriza e zhvillimeve në KPD duket se është afrimi i Igli Toskës. Ky i fundit deri pak muaj më parë ka mbajtur postin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas përfundimit të mandatit, ai është thërritur si anëtar i Qeverisë prej Fatos Nanos. Toska ka zënë vendin e Luan Ramës, i cili është larguar nga drejtimi i Rendit, pas një përplasje me një gazetar. Gjithashtu në postin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Toska është akuzuar shpesh nga opozita si aleat i socialistëve. Afrimi i tij në KPD vjen pas anëtarësimit dhe të Edi Ramës, i cili vetëm pas kongresit të dhjetorit të PS-së është zgjedhur anëtar i KPD-së së kësaj partie.

M.Bejleri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›