E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e ngadaltë në zbatimin e reformave

11/11/2004  Raporti i fundit i publikuar nga Zyra për Informim e BE-së, thekson se zbatimi i legjislacionit në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Kjo ka sjellë pasoja në bisedimet për asociim-stabilizimin e vendit tonë me BE-në. Sipas raportit, bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet fqinje është përmirësuar vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Tirana zyrtare ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh për tregtinë e lirë me vendet e rajonit, në përputhje me Memoradumin e Mirëkuptimit të Paktit të Stabilitetit, si dhe ka ratifikuar shumë prej tyre. Përsa i përket bashkëpunimit shumëpalësh, Shqipëria mbetet anëtare aktive e Këshillit të Evropës dhe OSBE-së dhe ka kontribuar për shumë nisma bashkëpunimi në Evropën Juglindore. Gjithsesi raporti thekson se, "jo të gjitha detyrimet ndërkombëtare janë përmbushur për shkak të vështirësive që Shqipëria ka hasur lidhur me përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin e tij". "Negociatat që po zhvillohen lidhur me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit kanë treguar se, Shqipëria po has vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të OBT-së, por se autoritetet shqiptare po marrin masa për zbatimin e tyre", thuhet në raport. Shqipëria është anëtare e shumë prej nismave ballkanike, përfshi këtu edhe Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe Procesin e Bashkëpunimit për Evropën Juglindore. Vendi ynë është gjithashtu anëtar i Nismës Adriatiko-Joniane si dhe Forumit Ekonomik të Detit të Zi. Raporti thekson se, Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në këto nisma dhe ka luajtur rol të rëndësishëm për "inkurajimin e stabilizimit ndërajonal, dialogut politik dhe bashkëpunimit tregtar e ekonomik".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›