E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikeda dhe Euromedica pakt për një spital privat

“Euromedica S.A” një nga liderët e shërbimit privat shëndetësor në Greqi nis bashkëpunimin edhe në Shqipëri. 

Partnere e saj është qendra diagnostike “Ikeda”, një nga qendrat shëndetësore më të mëdha dhe të njohura në qytetin e Tiranës. Dje në ambientet e “DC IKEDA” është bërë prezantimi i projektit, nga drejtori ekzekutiv i “Euromedica S.A”, z. Iordanis Bletsos.
Bashkëpunimi
Projekti synon krijimin dhe shtrirjen e një rrjeti të gjerë qendrash diagnostike në disa qytete, si dhe ndërtimin e një spitali të ri privat në kryeqytet, që do të ofrojë shërbim të shumëfishtë, me parametra bashkëkohore evropiane.
“Projekti ynë synon shtrirjen dhe përmirësimin e shërbimit mjekësor në një gjeografi më të gjerë në vendin tonë. Sigurisht kjo do të bëhet e mundur fal kapitalit njerëzor, stafit dhe personelit të kualifikuar mjekësor të “DC IKEDA”, tha mes të tjerash në fjalën e prezantimit të projektit dr.Mustafa Ibro, krijues dhe drejtues i qendrës diagnostike “IKEDA”. Kompania greke “Euromedica S.A”, operon në Greqi me rrjet shërbimi që përfshin 13 spitale dhe 41 qendra diagnostike, që janë të shpërndara në të gjithë shtetin helen. Ajo ofron shërbim në të gjitha specialitetet dhe është një nga qendrat më e madhe në shërbimin shëndetësor privat të shtetit fqinj.
Bashkëpunimi midis kompanisë shqiptare “DC IKEDA” dhe asaj greke “Euromedica S.A.”, shënon një zhvillim të ri për sistemin privat shëndetësor shqiptar. Për palën shqiptare ajo është nënvizuar si një iniciativë e re, e cila do të sjellë një standard ndryshe të këtij shërbimi, më cilësor dhe me dimensione humane, ku prioritet do të jetë shëndeti i qytetarit. Ndërkohë për palën greke, ky  hap shënon fillimin e bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.

Qendra diagnostike “IKEDA”

Qendra diagnostike “IKEDA” është themeluar në vitin 1999 dhe është një nga qendrat e para, që ka ofruar shërbimin shëndetësor privat në vendin tonë. Fillimet i pati si një qendër që ofronte për herë të parë shërbimin e bronkoskopisë në qytetin e Tiranës. Me kalimin e viteve, tashmë kjo qendër ka një shtrirje më të gjerë gjeografike dhe ofron shërbime në 3 qendra: Tiranë, Sukth dhe në qytetin e Kavajës.
Aktualisht, ajo është një nga qendrat diagnostike më të mëdha dhe më të njohura në vend. Ka një staf mjaft të kualifikuar mjekësh dhe bashkëpunon me emrat më të njohur të mjekësisë shqiptare.
Qendra Diagnostike “IKEDA” ofron shërbim 24 orë dhe përfshin një sërë kabinetesh mjaft cilësore si: Pneumologji, Gjinekologji, Laboratori Mikrobiologjik, CT (Skaner), Kardiologji, Urologji, Kirurgji, Pediatri, Gastroenterologji, Radiologji, Litotripsi, etj. Përveç këtyre, ajo ofron shërbime dhe konsulta në neurologji, reumatologji, neuropsikiatri, operacione plastike, etj., duke krijuar një hallkë të plotë shërbimesh të specializuara. Një nga planet “DC IKEDA” është zgjerimi dhe shtrirja e saj me qendra të tjera diagnostike në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe të kontribuojë në fushën e shërbimit sekondar, nëpërmjet ndërtimit të një spitali modern në Tiranë, i cili do të ofrojë të gjitha shërbimet sipas standardeve të fjalës së fundit të mjekësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›