Ikën Ajtyeresa, Elisa Spiropali në krye të FRESSH
Elisa Spiropali është tashmë në krye të Forumit Rinor Eurosocialist. Ky forum zhvilloi dje një tubim proteste para Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, ku kërkoi largimin e ministrit Prifti. Në krye të këtij tubimi ishte Spiropali, e pak muaj më parë është caktuar nga vetë kryetari Edi Rama, si koordinatore që do të realizonte ringritjen e FRESSH-it. E ardhur nga Lëvizja "Mjaft", Spiropali në zgjedhjet e 28 qershorit ishte kandidate për deputete në listën e qarkut të Tiranës, por nuk arriti të merrte mandatin e deputetit. Pas zgjedhjeve, ajo nisi të angazhohej me rininë dhe vullnetarët e PS-së, ndërsa tani ka marrë dhe drejtimin e forumit. FRESSH nuk ka zhvilluar asnjë kongres zgjedhor, ndërsa ish kryetarja e këtij forumi, Megi Ajtyresa është tërhequr nga angazhimi i saj me rininë eurosocialiste. Në fushatën zgjedhore të 28 qershorit, peshën më të madhe e morën "Vullnetarët për Ndryshim", të rinj që afroheshin për herë të parë në PS, ndërsa FRESSH tashmë ishte krejtësisht në hije. Pak ditë më parë, më 15 janar, FRESSH mbushi 19 vjeç, ndërsa këtë ditë e ka festuar një grup shumë i vogël të rinjsh. Rreth 60 të rinj, ish anëtarë të këtij forumi, ndër të cilët Ilir Zela, u mblodhën në një kokteil festiv, ndërsa drejtuesit e PS-së kanë munguar krejtësisht në të.