E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moszbatimi i ligjit, propozohet rritja e çmimit të duhanit



Nëse ke vendosur të pish duhanin, duhet ta mendosh dy herë, ndërsa për ata që tashmë janë duhanpirës, bëjnë mirë ta lënë. Mes zgjidhjes të pish apo jo duhan, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik e përforcojnë akoma më shumë këtë dilemë duke propozuar së fundmi rritjen e mëtejshme të çmimit të paketave të cigareve deri në 10 për qind.

Rritja

Nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, si dhe të Ministrisë së Shëndetësisë në fushatën e re të ndërmarrë propozohet që të ketë rritje drastike të çmimit të paketave të duhanit. Ky propozim ka ardhur dje në takimin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSH-në dhe shoqatën “Për një Shqipëri pa duhan”. Takimi i konceptuar si “Tryezë e rrumbullakët”, pati si qëllim analizën e kontrollit të duhanpirjes në Shqipëri, veçanërisht në zbatimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.

Kështu, gjatë analizës së tij, specialisti në ISHP, Roland Shuperka, shpjegoi arsyet se përse duhet rritur çmimi i paketave të duhanit, taksat. Nga studimet e kryera, Shuperka nxori si konkluzion katër shtylla si më kryesoret që ndihmojnë si në zbatimin e ligjit, ashtu edhe në uljen e përqindjeve të duhanpirjes.

”Janë katër shtylla që janë të domosdoshme për zbatimin e ligjit antiduhan. Edukimi shëndetësor i popullatës mbi lënien e duhanit. Politikat e taksave, - ku sipas Shuperkës taksat e duhanit janë nën nivelin që kërkohet, -pasi në vendin tonë ato janë më pak se 2/3 e çmimit të paketës me pakicë. Forcimin e legjislacionit, si dhe mbajtjen nën kontroll përmes studimeve të vazhdueshme mbi zbatimin e ligjit”, - theksoi Shuperka.

Duke arsyetuar mbi rritjen e duhanit, specialisti Shuperka shpjegon edhe arsyet që përse duhet marrë kjo reformë. Sipas tij, duhet rritur akciza e duhanit, pasi çmimet e produktit të duhanit janë ende të ulëta. “Nëse rritet çmimi i paketës së cigareve, duhanpirja ulet me 8 për qind”, - është shprehur specialisti në ISHP, Roland Shuperka.

Ndonëse pranohet se taksat janë rritur me 60 për qind që nga 1 korriku i 2006-ës nuk ka qenë efektive në uljen e konsumatorëve të duhanit.

Bashkia

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, theksoi se duhet amenduar ligji për sa u përket kompetencave për të kontrolluar zbatimin e tij, pasi të shpërndara në tri struktura, siç janë Policia Bashkiake, Drejtoria e Tatimeve dhe Inspektorati Shëndetësor, nuk mund të funksionojë. Gjithashtu, ai kërkoi edhe shtimin e burimeve njerëzore dhe ato financiare.

Kontrast

Gjatë monitorimit për zbatimin e ligjit antiduhan specialistët në ISHP kanë evidentuar një tendencë në ulje të duhanpirësve meshkuj dhe rritje të duhanpirëseve femra. Ndonëse shifrat flasin se 60 për qind e meshkujve në Shqipëri janë konsumues të rregullt të duhanit, ndërsa për femrat shifra është 18 për qind, sërish nga specialistët shikohet me shqetësim rritja e konsumit të duhanit nga femrat.

Ndërkohë, në studimet e kryera është nxjerrë si konkluzion fakti se duhanpirja ka nisur që në bankat e shkollave nëntëvjeçare. Madje, pohohet se që në këtë moshë 16 për qind e djemve dhe 7 për qind e vajzave janë duhanpirës.

Po sipas studimeve të ISHP-së, 16 për qind e nxënësve të shkollave që nuk pinë duhan, mendojnë ta fillojnë atë vitin tjetër. I njëjti studim cilëson se 4-10 studentë të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Infermierisë janë duhanpirës. Shuperka e cilëson këtë si shembullin më të keq, pasi deri nesër këta studentë do të jenë të veshur me bluzën e bardhë dhe me duhan në dorë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›