E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misri pa kokrra, “Agroblend” garanton dëmshpërblimin e fermerëve

Skandali i misrit pa kokrra tashmë është bërë shqetësues për të gjithë. Por ai vazhdon të mbetet shqetësimi kryesor për fermerët, të cilët janë dëmtuar rëndë, pasi toka e tyre këtë vit nuk iu shërben me atë çka ata mbollën. I gjithë mundi dhe shpenzimet financiare atyre iu kanë shkaktuar dëm. Tashmë të kthyer me sytë nga shteti fermerët presin tu lahet dëmi. Dy ditë më parë, Ministri i Bujqësisë, siguroi se dëmshpërblimi do të kryet, por jo nga shteti, këtë do ta bëjnë firmat që kanë tregtuar farën tek fermerët. Nga ana tjetër, firma që ka bërë shpërndarjen për herë të dytë, garanton publikisht se fermerët do të dëmshpërblehen. Drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Imputeve Bujqësore (AFADA) kanë siguruar dje në një konferencë për shtyp fermerët se firma “Agroblend” e anëtarësuar pranë kësaj shoqate do të dëmshpërblejë të gjitha ata që kanë mbjellë misrin që nuk prodhon kokrra. Dëmshpërblimi do të bëhet me misër dhe jo në vlerë financiare.

"Kompania “Agroblend”, një kompani që merret me prodhimin dhe importimin e farërave dhe fidanëve, do të dëmshpërblejë me misër të gjithë fermerët që kanë mbjellë farën e misrit Aliseo, të importuar nga Franca, por që nuk prodhonte kallinj", - kështu deklaroi dje Tritan Çako, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Imputeve Bujqësore (AFADA), anëtare e së cilës është edhe “Agroblend”. Ai pranoi se ka pasur problem me një pjesë të kontingjentit të farës së misrit dhe kompania tregtuese “Agroblend” është në pritje të analizave të marra nga mostrat e misrit, si nga kompania prodhuese, po ashtu dhe nga eksperteet vendas të dikasterit të bujqësisë, të angazhuar për këtë çështje. Ndërkohë, pritet përgjigjja nga kompania prodhuese për të evidentuar shkaqet që sollën këtë fenomen.

Çako theksoi në emër të shoqatës se fenomene të tilla ndodhin herë pas here dhe jo vetëm në Shqipëri, por këto janë çështje që zgjidhen nga kompanitë tregtuese dhe prodhuese me fermerët që janë klientët e tyre. AFADA është krijuar me mbështetjen e USAID-it në vitin 1993 dhe është një shoqatë jofitimprurëse që ka 112 anëtarë në të gjithë Shqipërinë. Sipas AFADA-s, në Shqipëri këtë vit është importuar rreth 750 ton farë misri, ndërkohë që sasia me problem është afërsisht 10 ton, ose 1.3 % e totalit të farës së misrit të importuar në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›