Nishani, kontrolle në të gjitha hipotekat
Ministri Nishani ka firmosur të parin urdhër që nga emërimi disaditor në krye të drejtësisë shqiptare. Në fokusin e tij janë hipotekat, ndaj të cilave ka ankesa të shumta nga qindra mijëra qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Problemet me pronat dhe pasuritë e paluajtshme kanë ekzistuar në Shqipëri, por duket se kjo plagë e hapur e Shqipërisë po vazhdon edhe si pasojë e abuzimeve nga zyrat e hipotekave. Për këtë arsye, ministri Nishani dhe kreu i Hipotekës, Arben Qirjako, po ndërmarrin një sërë kontrollesh në të gjithë Shqipërinë. "Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të vazhdojë kontrolle edhe në zyrat e tjera vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në fokus të këtyre kontrolleve do të jetë respektimi i procedurave administrative dhe shërbimi ndaj qytetarëve", thuhet në njoftimin e Hipotekës Qendrore.