E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, detyrim paraqitjeje për kreun e Hipotekës

Lihet i lirë kreu i ZRPP-së së Vlorës. Në seancën e djeshme të dhënies së masës së sigurisë gjyqtari Thoma Nika, e ka konsideruar si të paligjshëm ndalimin për kreun e Hipotekave, Eduard Banushi, ish-nëndrejtorin e ZRP të Vlorës, Viktor Kulaj dhe biznesmenin Oard Begaj. Ndërsa për të parin është lënë detyrim paraqitjeje, për dy të tjerët gjykata ka vendosur masën arrest shtëpie. Seanca e djeshme ka nisur me kërkesën e prokurorit të çështjes, Sokol Malaj, për shkarkimin e gjyqtarit Thoma Nika, si drejtues të seancës, pasi sipas akuzës, kishte vend për dyshime për një gjykim të njëanshëm nga ana e tij. Procedurat pas kësaj kanë vijuar nën drejtimin e gjyqtarit Fuat Muka, i cili pasi ka dëgjuar argumentet e dhëna nga prokurori Malaj, por edhe kundërshtitë e palës mbrojtëse, ka vendosur që gjykimin ta vazhdojë gjyqtari Thoma Nika. Më pas akuza ka argumentuar ndalimin e dy zyrtarëve të lartë dhe biznesmenit Begaj. Mësohet se hetimet për kreun e Hipotekës kanë filluar duke marrë shkas pas denoncimit të bërë nga një qytetare për një pallat dhe distancat që nuk janë respektuar. Sipas palës së akuzës, është arritur të provohet se nga ana e kreut të ZRP-së të Vlorës, një pronë shtetërore me një sipërfaqe prej 611 metrash katrorë është kthyer në pronë private me vulën e vënë nga Hipoteka, pavarësisht se një gjë e tillë nuk ishte e bazuar në dokumentacionet e duhura. Kështu, për rastin në fjalë, ai tha se është nxjerrë vërtetim pronësie nga Hipoteka, duke shkelur shumë procedura. Sipas tij, fillimisht është bërë një denoncim nga një qytetar për mosrespektimin e distancave për zbatimin e ndërtimit të një pallati, si dhe është regjistruar një sipërfaqe me dokumente të falsifikuara. Kallëzimit i është bashkuar dhe një tjetër i tillë nga biznesmeni Oard Begaj, për përfitim pronësie me dokumente të falsifikuara. Teksa ka renditur dokumentacione të dhëna për këtë pronë, prokurori Malaj e ka vlerësuar arrestimin si të ligjshëm, duke kërkuar për tre të akuzuarit arrest në burg, pasi sipas tij, kanë konsumuar elementë të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, ndërsa paraqitnin rrezikshmëri për t‘u larguar. Ndërkohë, për avokatët mbrojtës: Genc Gjokutaj, i cili në këtë proces mbron kreun e Hipotekave, Eduard Banushin, dhe Kastriot Brahimuço, i cili mbron dy të pandehurit e tjerë, arrestimet janë konsideruar si të paligjshme.
Pala mbrojtëse ka thënë se çështja mund të konsiderohej teknike dhe të rregullohej në bazë të gjithë normave ligjore, duke mos mbajtur në burg tre të pandehurit, të cilët nuk përbënin rrezikshmëri shoqërore. Banushi ka preferuar që një pjesë të mbrojtjes ta bëjë vetë, pikërisht sqarimin e pozicionit të tij në lidhje me përpilimin e dokumentacioneve që janë objekt hetimi. Ai ka mohuar të ketë pasur njohje me të akuzuarin Begaj, pretenduesin e pronësisë së truallit që është bërë objekt gjykimi, ndërkohë që u është referuar hapësirave ligjore për dhënien e dokumentacioneve. Në përfundim të seancës, gjyqtari Nika e ka cilësuar të paligjshëm ndalimin e shtetasve dhe ka vendosur detyrim paraqitjeje për Eduard Banushin, ndërsa për ish- nëndrejtorin e ZRP të Vlorës, Viktor Kulaj dhe biznesmenin Oard Begaj masën arrest shtëpie. Arrestimet e tyre u kryen tri ditë më parë në kuadër të operacionit "Fillimi i vjeshtës", i cili u realizuar nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me strukturat e krimit ekonomik dhe Prokurorisë së Rrethit Vlorë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›