E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresa Breçani sqaron mediat, por bën "autogol"

Nga Gert Shella
“Nuk kam audituar asnjë kompani të Fazliç....”. Kështu e nis sqarimin e saj për mediat ekspertia kontabël Shpresa Breçani. Kjo e fundit është mbesa e kryeministrit, e përfulur nga media si ekspertja kontabël e kompanive të Damir Fazliç. Nëpermjet një emaili që ka nisur sot në orën 6:17 të pasdites në redaksite e mediave, Breçani mbron veten duke sulmuar ashpër gazetarin Mero Baze. Balkanweb zbulon dokumentin kompromentues.
"ALFA" SH.P.K, BREÇANI PUNON PER FAZLIÇ
EMAILI I PLOTE I BRECANIT  

TIRANE - Email i Brecanit i është shpërndarë mediave pothuajse në të njëjtën kohe kur Argita Malltezi, vajza e kryeministrit Berisha, ka shpërndarë një sqarim të sajin ku pranon se Fazliç është klienti i studios së saj avokatore. Por, ndryshe nga Argita Malltezi, Breçani nuk pranon të ketë lidhje me Fazliç.
“Duke qënë një profesioniste e fushës së auditit, ligji nuk më kufizon për të bërë çdo audit në një treg të hapur dhe konkurent të kësaj fushe, por dua të sqaroj qartësisht opinionin se nuk kam patur asnjë lidhje me firmat e biznesmenit Damir Fazliç, nuk kam mbajtur dhe as nuk kam audituar asnjë nga keto kompani, edhe pse ma lejon ligji.” Breçani sqaron më tej se “kjo mund të konfirmohet qartë dhe pa asnjë vështirësi nëpërmjet dokumentacioneve që depozitohen në disa institucione shtetërore siç jane Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve etj.” Me tej, Breçani sqaron: “Fakti që disa media të inspiruara politikisht duan të bëjnë lidhje të paqena mes meje dhe kompanive të biznesmenit boshnjako-anglez, duke fantazuar skenare konspirative të tipit Baze, i cili cdo të keqe në këtë vend deshiron ta lidhë me familjen e kryeministrit, provojnë pa profesionalizmin e tyre, mjerimin dhe përdorimin e tyre ekstrem.”
E vërteta është ndryshe. “Balkanweb” ka siguruar dokumente që hedhin poshtë pretendimet e ekspertes kontabël të miratuar, Shpresa Breçani. Konkretisht, ajo figuron eksperte kontabël e miratuar në shoqërinë "Alfa" shpk, e cila ka për ortak të vetëm, dhe njëkohësisht administrator boshnjakun e shumëpërfolur Damir Fazliç. Në neni 8 të aktit të themelimit të shoqërisë, Shpresa Breçani figuron të jetë caktuar si ekspert i parë kontabël i shoqërisë “Alfa” shpk., “me nr licence 143, lëshuar 29.12.2006”.
Tashmë, është jashtë çdo dyshimi se Shpresa Breçani ka shpërndarë për mediat një sqarim nëpërmjet të cilit sapo ka bërë një autogol qesharak.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›