Klaudia Hila: 60-vjetori i TKK-ve, në një format ndryshe nga tradicionalja
Izaura Ndoj
Teatri Kombëtar i Kukullave në rrjedhën e aktiviteteve vazhdon të gjejë forma të reja dhe të sjell risi në këtë qendër teatrore, në mënyrë që ti ketë sa më pranë fëmijët. Këtë gjë e pohon drejtoresha e këtij institucioni, Klaudia Hila. Qendra Kulturore e Fëmijëve këtë vit ka në repertorin e saj 20 shfaqje të tilla, ku çdo fundjavë do të ketë një shfaqje. Ndërkohë që gjatë këtij viti do të vijnë 3 premiera nga regjisorë të ndryshëm dhe të tre premierat do të jenë nga regjisorë të rinj. Më tej drejtoresha Hila tregon se Teatri Kombëtar i Kukullave për Fëmijë këtë vit ka dhe 60 vjetorin e tij, dhe është menduar që të zhvillohet një aktivitet ndryshe nga ato që janë shfaqur deri tani në skenën e tij. “Gjatë këtij viti do të zhvillohet një aktivitet i rëndësishëm që është 60-vjetori i krijimit të këtij teatri, dhe njëkohësisht dhe traditës së këtij teatri. Duke menduar se janë vite të konsiderueshme përsa i përket traditës nuk do të bëhet në formën tradicionale. Ajo çfarë është më interesante dhe specifike në këtë 60-vjetor, në këtë ditëlindje të këtij teatri do të jetë fakti që do të bëhet në formën e shkëmbimin e eksperiencave me trupat e huaja, ku prurja e tyre do të jenë pikërisht shfaqje që do të kenë personazhe të traditave të vendeve të tjera. Kjo do të bëhet e mundur me anë të një shfaqje të veçantë, por dhe me anë të një organizmi më të mirë që do të jetë ndërkombëtar për fëmijë, ku do të ketë dhe shfaqje nga vende të ndryshme me elemente të tyre të traditës” cilësoi drejtoresha e TKK-ve. “Duke pasur parasysh që ne kemi tashmë 60 vjet traditë dhe kemi dhe personazhin tonë kryesor që është kacamisri, mendoj që edhe ky bashkëpunim me vendet e tjera do të sjellë këto personazhe të traditës. Mendoj që e sjellë në këtë formë, ku çdo gjë do të jetë e traditës me formate të ndryshme, kontemporane pa diskutim edhe nga vendet e tjera, themi që do ta bëjmë këtë 60 vjetor disi më ndryshe. Do të jetë festë, por njëkohësisht do të jetë dhe një shkëmbim eksperiencash midis shfaqjeve të ndryshme të këtyre vendeve”, pohon Hila. Më tej ajo tha se, “Përveç tre premierave dhe 60-vjetorit të cilat janë shtyllat bazë ku ndërtohet programi i këtij aktiviteti do të kemi edhe shfaqje paralele që do të zhvillohen përgjatë gjithë vitit. Duke ditur që shumë shtresa shoqërore e gjejnë veten në aktivitetet tona, një ndër këto aktivitete do të jetë një shfaqje për policët e fëmijëve të vrarë. Por një aktivitet tjetër me rëndësi gjatë këtij viti do të jetë shfaqja për fëmijët e ambasadave, e kërkuar kjo pikërisht nga ata vetë, e menduar dhe konceptuar enkas si një ditë për këta fëmijë të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe pse nuk janë shqiptarë kanë nevojë të marrin pjesë në kulturën shqiptare. Një aktivitete mjaftë i rëndësishëm i këtij institucioni është edhe “1 Qershori” i cili është menduar që këtë vit të organizohet në Pallatin e Kongreseve. Përveç kësaj kemi edhe disa miniprojekte të vogla që e bëjnë teatrin mjaftë atraktiv. Një aktivitet mjaftë i rëndësishëm është edhe lëvizja e teatrit nëpër qytete e tjera një bashkëpunim ndërmjet teatrit dhe AMC-ës”. E pyetur se kur do të startoj ky aktivitet drejtoresha Hila tha se “Akoma nuk është e përcaktuar koha sepse mund të jetë një aktivitete i shtirë në kohë të gjatë por interesi ynë është që ne të jemi pran fëmijëve edhe në qytetet e tjera ku Teatri i Kukullave mund të jetë i vakët ose fare inekzistent. Një projekt tjetër që është në interes të teatrit është një bashkëpunim me UNICH-in të cilët kanë menduar një format shumë interesant shpërndarjen e librave në qytete të ndryshme duke qenë pjesë dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve” pohoi Klaudia Hila.
26 Shkurt 2010