E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë do të rishikojë procedurat e ekstradimit me Greqinë



Tiranë - Ministria e Drejtësisë shqiptare do të ndryshojë procedurat e ekstradimit e shqiptarëve që janë dënuar në Greqi por që duan të vuajnë dënimin në Shqipëri. Sipas një njoftimi për shtyp të kësaj ministrie, pala shqiptare që përfaqësohet nga zëvendësministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe disa ekspertë të tjerë kanë nisur një vizitë dyditore në Athinë. Në takimet e tij në Ministrinë e Drejtësisë, pritet të diskutohet çështja e transferimit të të dënuarve shqiptarë, modalitetet dhe afatet përkatëse. Një çështje e rëndësishme do të jetë dhe propozimi që do t’i bëhet Ministrisë së Drejtësisë së shtetit grek në lidhje me nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe për ekstradimin e shtetasve respektivë në rastet e kërkimit ndërkombëtar, dhe bashkëpunimit ndërgjyqësor e hetimor mes dy palëve, e ngjashme me marrëveshjen e nënshkruar me Italinë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, një vend të veçantë do t’i kushtohet vizitës dhe takimit të zëvendësministrit të Drejtësisë me përfaqësues të të dënuarve që ndodhen në një nga burgjet e mëdha në qytetin e Athinës, për të dëgjuar prej tyre problemet që ata kanë atje. Më pas, në takim me drejtues të prokurorisë do të diskutohen edhe çështje të tjera të cilat kanë lidhje me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar dhe trajtimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin atje.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›