E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ikona" çon në pranga dy falsifikues dokumentash

Falë një hetimi disamujor, operacioni “Ikona” çoi në pranga shtetasit Agron Hoxha, 54 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; dhe Shkurt Toma, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në Repartin Special RESI.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasi me inicialet L. K., dhe janë dërguar materialet në gjendje të lirë për shtetasin Romeo Bici, 53 vjeç, me banim në Tiranë.

Në sajë të një hetimi intensiv, u vërtetua se shtetasi Agron Hoxha ka konsumuar veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave”, “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile” dhe “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm te kufirit” vepra penale këto të parashikuara në Kodin Penal.

Dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merrnin përsipër nxjerrjen e vizave shengen në ambasada të shteteve të huaja, të atashura në Tiranë, kundrejt përfitimit të shumës së parave prej 3 000 eurove, për një vizë shengen.

Qytetarëve të ndryshëm, të cilët dëshironin për të marrë një vizë shengen, shtetasit e lartpërmendur u siguronin vizën duke u kërkuar si dokument vetëm pasaportën e tyre ndërsa për dokumentet e tjera, i siguronin në mënyra të ndryshme duke i falsifikuar ato, me synim marrjen e një vize shengen.

Ky hetim ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti, ku këto shtetas janë ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga ku u bë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të tyre, në fushën e falsifikimit të dokumentave, kryesisht certifikata si dhe karta identiteti të shteteve të huaja, duke bërë të mundur kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit nëpërmjet përdorimit të kartave të identitetit të falsifikuara.

Këto shtetas akuzohen për veprën penale të “Mashtrimit” të kryer ne bashkëpunim, vepër penale kjo qe parashikohet nga neni 143/2 i kodit Penal.

Ndërkohë, vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave te tjerë të implikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›