Nisin ndërprerjet e zgjatura të energjisë
Prej ditësh korrespondentët raportojnë për mungesë të theksuar të energjisë elektrike, me orë të zgjatura. Por dita e sotme ka bërë më evident problemin, për shkak të ngarkesës së rrjetit shpërndarës, me motiv motin e keq. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nuk pranon se ka vënë orare kufizim, por thotë se po bëhen remonte ndaj mund të ketë patur ndërprerje të vogla të energjisë.
Nga një vëzhgim në disa qytete të vendit rezulton se minimalisht energjia ndërpritet 4 orë në ditë dhe maksimalisht 10 orë në ditë. Kuota maksimale kapen në fshatra.
Në rrethin e Durrësit, sidomos në zonat fshatare ndërprerja fillon në orët e para të mëngjesit deri në mbrëmje dhe thuajse gjatë gjithë natës.
Në qytetin e Gjirokastrës, energjia elektrike mungon për 8 orë në ditë, nga 07.00 deri në 15.00, praktikë kjo që ndiqet prej një jave.
Në rrethinat e Elbasanit, situata është akoma më e rëndë, pasi dritat mungojnë për plot 10 orë në ditë. Kjo situatë ka penguar së tepërmi edhe punën e bizneseve dhe ndërmarrjeve të vogla në zonës.
Në rrethin e Fierit banorët vuajnë mungesën e energjisë për 4 orë në ditë. Po kështu edhe një rreth tjetër i madh, ai i Korçës është pa energji për katër orë në ditë, gjatë paradites.
Lidhur me shqetësimin e paraqitur nga media për mungesën e energjisë, drejtori i Linjave të Tensionit të Lartë në OSSH, Admirim Lakra, thotë se “është duke u punuar për rregullimin e defekteve pasi shumica e ndërprerjeve janë bërë nga nënstacionet". Ndërsa ka shtuar se përpos defekteve një tjetër arsye e ndërprjes janë remontet që po bën OSSH në disa linja. Sipas tij nuk kemi të bëjmë me krizë energjetike.