Reshjet, bllokohet rruga Skapar-Berat, fshatra të izoluar
Berat- Shirat e rënë gjatë gjithë natës të së premtes dhe paradites së sotme shkaktuan gjendje të vështirë në qytetin e Beratit. Janë bllokuar nga mos kalanizimi disa rrugë të qytetit, si "30 Vjetori", "22 Tetori", etj. Por gjendja është paraqitur e vështirë jo vetëm në qytet por dhe në rrugët rurale që lidhin fashtrat me qytetin e Beratit.
Nga rrëshqitja e dherave është bllokuar aksi nacional Skrapar -Berat duke bllokur qarkullimin e automjeteve për disa orë. Policitë rrugore të dy rretheve kanë vënë postobllok për ndalimin e automjeteve deri në pastrimin e asfaltit.
Si pasojë e motit të keq janë bllokuar edhe disa fshatra, si në Kapinov, ku është prishur ura dhe banorët kanë mbetur të izoluar. Gjithashtu probleme janë shfaqur me rrugët e fshatrave Vertop dhe Lybesh. Banorët që në orët e para të mëngjesit kanë fillur aksionin për zhbllokimin nga dherat të rrugëve dhe hapësirave të tjera në fshat.
Po kështu shiu dhe era ka dëmtuar edhe banorët e fshatrave Otllak dhe Lapardha, pasi duke qenë sezoni i vjeljes së prodhimeve frutikulturore fermerët kanë pësuar humbje të prodhimeve të tyre në fruta, si mollë dhe hurma.
Një situatë akoma më e vështirë paraqitet në fshatrat e rrethit të Skraparit, të cilët janë bllokuar si pasojë e dëborës. Më problematik është fshati i Tomorrit, që është izoluar nga reshjet e dëborës.