Iku nga shtëpia prej varfërisë, gjendet në pyll kryefamiljari
Largohet nga shtëpia pa adresë, gjendet pas dy javësh rastësisht nga një bari i zonës. Burime nga Policia e Beratit bëjnë të ditur se është gjetur Kujtim Bejdo, 37 vjeç nga fshatit Luzaj, i Komunës Lumas të Beratit, i shpallur në kërkim që prej disa javësh. Sipas policisë, Bejdo, baba i dy fëmijëve të mitur, është gjetur mbrëmjen e së hënës nga një bari, teksa ruante bagëtitë e tij në pyllin e dendur në periferi të fshatit. Bariu është përpjekur ta bindë 37-vjeçarin që ai të kthehej pranë familjes dhe kur nuk ia ka arritur qëllimit ka shkuar shpejt te njerëzit e tij, të cilëve u ka treguar vendndodhjen e saktë dhe bisedën që kishte bërë me 37-vjeçarin. Pas këtij njoftimi, të afërm të të "zhdukurit" kanë shkuar ta kërkojnë në pyll, por nuk kanë mundur ta gjejnë deri afër mesnatës. Kësisoj ata i janë drejtuar për ndihmë uniformave blu të Komisariatit të Beratit. Policia njoftoi se në vendngjarje kanë shkuar një grup policësh të Komisariatit të Beratit, të cilët të ndihmuar edhe nga pjesëtarë të familjes dhe banorë të fshatit kanë mundur ta gjejnë atë në mes të pyllit. Policia tha se Kujtim Bejdo ishte larguar nga familja që nga data 21 korrik dhe nuk kishte asnjë të dhënë për rrethanat e zhdukjes dhe për motivet e saj. Sipas familjarëve, Kujtimi jetonte në kushtet e varfërisë ekstreme dhe se prej saj kohët e fundit kishte shfaqur shenja të depresionit psikik. Sipas denoncimit të familjarëve në polici, ai ishte larguar si çdo ditë për të punuar në arën e tij disa qindra metra larg banesës. Por që nga mëngjesi i asaj dite ai nuk u kthye më pranë familjes. Fillimisht familjarët kanë menduar se ai mund të kishte shkuar te të afërmit në fshatrat e zonës, por çdo kontakt i bërë më pas ka rezultuar negativ, pasi 37-vjeçari nuk ishte parë nga askush prej tyre.